Prokuroria kërkon nga Apeli dënimin e të akuzuarve për krim të organizuar në rastin “Ukë Rugova I”

by Nexhat

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ankimuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për rastin “Ukë Rugova I”, ku ishin liruar nga akuza për krimin të organizuar ish-deputeti Ukë Rugova, ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri, ndërsa aktgjykim refuzues ishte marrë ndaj Florian Petanit. PSRK ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që ndaj tyre të shpallet aktgjykim dënues për veprën penale “Krim i organizuar”.

Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve kërkoi që të vërtetohet aktgjykimi lirues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Mbrojtësi i Rugovës, avokati Nexhat Shabani, i propozoi Apelit që vendimi i Themelores për pjesën liruese të aktgjykimit të vërtetohet dhe ankesa e PSRK të hudhet poshtë si e pabazuar.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Beqiri, avokati Besnik Berisha i propozoi Apelit që vendimi i Themelores për pjesë liruese të vërtetohet, kurse të ndryshohet vendimi për dënimin për armëmbajtje pa leje ose të shqiptohet një dënim më i butë ndaj Beqirit

Krejt kjo sipas Berishës, pasi që Beqiri kishte mbajtur një armë që me një njoftim publik nga UNMIK-u, u ishte thënë që të mbanin armët derisa të përfundojë procedura e lejes. Ai tha se për armë që kishte Beqiri, ishin të njoftuara organet e drejtësisë.

Ndërkaq, për ankesën e PSRK-së, avokati Berisha tha se Prokuroria ka bërë ankesë edhe për pjesën kur ka hequr dorë vetë nga ndjekja penale për Petanin. Andaj, propozoi që ankesa e PSRK-së të hudhet poshtë.

Berisha po ashtu tha se Apeli duhet të marrë parasysh edhe çështjen e parashkrimit absolut të veprave penale, që edhe nëse kthehet çështja në rigjykim do bie në parashkrim.

Gjithashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarit Baholli, avokatja Luljeta Jashari, i propozoi Apelit që vendimi i Themelores të vërtetohet dhe ankesa e PSRK-së të hudhet poshtë si e pabazuar.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Haraqija, avokati Korab Bokshi tha se ankesa e PSRK-së është një përshkrimi i fjalës përfundimtare dhe se kjo mund të kuptohet me një lexim të thjeshtë të ankesës së tyre.

Në fund, kryetarja e kolegjit të Apelit, Afërdita Bytyqi njoftoi palët se brenda afatit të paraparë kohor do të pranojnë vendimi e Apelit.

Ndryshe, ky rast ishte ndarë në dy pjesë për shkak të efikasitetit, në pjesën e parë bëjnë pjesë të akuzuarit: Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Baholli dhe Izet BeqirI dhe Forian Petani, ndërkaq në pjesë e dytë bëjnë pjesë të akuzuarit: Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë më 30 mars 2023 kishte liruar nga akuza për krim të organizuar ish-deputetin Ukë Rugova, ish-ministrin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Qefser Bahollin dhe Izet Beqirin, ndërsa kishte shpallur aktgjykim dënues për armëmbajtje pa leje ndaj Rugovës, Bahollit dhe Beqirit.

Kurse, për të akuzuarin Petani, konform nenit 362 të Kodit të Procedurës Penale, ishte refuzuar akuza për shkak të veprës penale “Krim i organizuar” lidhur me veprën penale “Kontrabandim me migrantë”, pasi që Prokuroria Speciale hoqi dorë nga ndjekja penale.

Kurse, në rastin “Ukë Rugova II”, 15 të akuzuarit ishin liruar nga akuza për “Krim të organizuar” dhe “Kontrabandim me migrantë” më 12 tetor 2023, pasi që sipas gjykatës nuk ishte provuar se janë përfshirë në kryerjne e veprave penale për të cilat akuzoheshin. Ndërsa, për armëmbajtje u dënuan Fitim Beqiri, Azad Beqiraj dhe Visar Beqiri.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj 2016, e ngarkonte Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014, ka menaxhuar një grup kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit. Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkonte Rugovën edhe për veprën penale posedim i paautorizuar i armëve, ku në rezidencën e tij i ishin gjetur një pistoletë dhe dy karikatorë.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Në këtë rast, Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Florjan Petanit, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit u gjykuan ndaras, pas veçimit të procedurës ndaj tyre, pasi sipas ish-gjykatëses së rastit Naime Krasniqi-Jashanica, me këtë formë gjykimi do të ishte më efikas. Pra, rasti ishte ndarë në dy pjesë, ku pesë të akuzuarit e lartpërmendur u gjykuan veçmas nga 15 të akuzuarit tjerë.

Prokuroria pretendonte se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy