Arton Demhasi, nga organizata “Qohu”, ka thënë se ka rënie të madhe të perceptimeve të qytetarëve rreth korrupsionit në përgjithësi.
“Nëse flasim për vitin 2021, perceptimi i qytetarëve për korrupsionin ka qenë diku 20 për qind, nëse flasim për këtë vit atëherë perceptimi i përgjithshëm për korrupsionin ka rënë nën 10 për qind. Kosova është me perceptimin më të vogël në rajon”, tha Demhasi
Demhasi ka thënë se kjo e gjetur është bërë në kuadër të një hulumtimi që mbështetet nga Bashkimi Evropian (BE). Sipas tij, ky është një projekt rajonal për shtatë shtete të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën.
Pas Kosovës, perceptimi i ulët i qytetarëve për korrupsion pason me Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria është në nivelin më të lartë sa i përket kësaj çështjeje që përfshin edhe 50-përqindëshin
“Rënia e perceptimit të qytetarëve për korrupsionin mendoj që lidhet pak edhe me Qeverinë. Për faktin që zgjedhjet e fundit parlamentare kemi pasur diku 50,02 për qind të qytetarëve që kanë votuar partinë që është në pushtet, kjo reflekton që ata votues ose qytetarë që votuan partinë në pushtet të kenë një perceptim më të ulët sa i përket korrupsionit në institucionet e vendit. Kjo besoj që është arsyeja pse kemi një rënie të tillë të perceptimit të korrupsionit në Kosovë”, tha tutje Demhasi.
Ai ka shtuar se nuk ka ndodhur diçka e madhe në shoqërinë tonë.
“Këtu janë pak të çuditshme të dhënat sepse nëse flasim për perceptimin e përgjithshëm ka rënie, por kur për secilën fushë, për prokurorët, deputetët, ministrat, kryetarët e komunave, prapë përqindja sillet rreth 50 për qind që qytetarët mendojnë se disa ose shumica prej tyre janë të korruptuar…Nëse flasim për ministrat diku rreth 60 për qind ku qytetarët deklarohet se një pjesë ose shumica e ministrave janë të korruptuar. Njëjtë është edhe për deputetë, kryetar komunash, pak a shumë është njëjtë edhe për profesorët, doktorët, zyrtarët komunalë, doganierët, zyrtarët e ATK-së. Përafërsisht perceptimi mbetet si ka më herët, vetëm perceptimi i përgjithshëm ka ndryshuar”, shtoi Demhasi.
Demhasi nga organizata “Qohu”, duke u bazuar në këtë hulumtim, ka treguar se përqindje shumë e ulët e qytetarëve të Kosovës mendojnë se mësuesit janë më pak të korruptuar.
