“Rajska Banja” përdorej edhe si strehë armatimi

by Merita

“Rajska Banja” kompleksi i cili u rikthye nën menaxhimin e AKP-së, ishte shfrytëzuar një kohë si banjë që ujin e kishte me veti shëruese, por edhe për relaksim për qytetarë e turistë që kryesisht ishin serbë. Investimet, sipas tyre, ishin bërë kryesisht nga Serbia, ndërkohë që nga ky objekt, sipas institucioneve të sigurisë, dy ditë pas sulmit terrorist serb, ishte nxjerrë një sasi e madhe e armatimit.

Jovanoviq Jovan, i cili jeton në fshatin Banjskë, tregon se e ka vizituar disa herë këtë kompleks.

banner

“Kemi qenë në këtë kompleks, fëmijët janë larë këtu, kemi jetuar këtu, nuk kemi pasur asnjë problem kurrë. Fshati më i qetë në Kosovë ka qenë Banjska. Sa u përket shqiptarëve e serbëve, kurrë nuk kemi pasur asnjë problem”, tha Jovanoviq Jovan.

Por, ky objekt nuk shfrytëzohej vetëm për vetitë e ujit shërues.

Me të marrë informacion se në këtë kompleks janë zhvilluar veprimtari ilegale, Agjencia Kosovare e Privatizimit ia vuri drynin mbrëmjen e së martës.

” Para se të merren këto masa, AKP ka tentuar t’i kontaktojë palët që i kanë shfrytëzuar këto objekte deri tani, por s’ka pasur sukses as t’i identifikojë dhe as t’i kontaktojë. Asetet e N.Sh. Trepça Standard i janë dhënë me qira MPB-së”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, tha të mërkurën se destinacionin e këtij objekti do ta përcaktojnë në kohë.

“Për këtë [pronësinë] nuk ka asnjë dyshim. Pse dikush ka investuar jashtëligjshëm, mendoj qe është mësim për të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm, se nuk mund ta bëjnë. Kjo është arsyeja pse e kemi marrë në menaxhim, dhe destinacionin final këtij objekti, do t’ia paracaktojmë ndërkohë”, tha Sveçla.

Gjatë së mërkurës brenda këtij kompleksi është futur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ku ka konfiskuar sasi të madhe të ushqimit.

“Ky ushqim më pas do të asgjësohet pasi që nuk i dihet origjina e as afati i përdorimit. Nga i njëjti kompleks mbrëmë janë konfiskuar edhe pije alkoolike që dyshohet se kanë qenë të kontrabanduara”, ka njoftuar AUV.

Që nga viti 2006 ky kompleks është uzurpuar dhe ka kaluar në pronësi të Kishës Ortodokse Serbe. Ai është rindërtuar në vitin 2015 përmes financave të Qeverisë së Serbisë, saktësisht të së ashtuquajturës Zyrës për Kosovën.

SNS, partia e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, e ka prezantuar si sukses të tyre ndërtimin e kësaj prone. Kostoja totale e ndërtimit të saj, sipas SNS-së, ka qenë shtatë milionë euro.

Dy ditë pas sulmit terrorist kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, saktësisht më 26 shtator nga ky kompleks u nxor sasi e madhe armatimi. Po ashtu Policia e Kosovës në këtë kompleks kishte arrestuar dy persona për armëmbajtje pa leje, që dyshohet se kishin lidhje me sulmin terrorist ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy