Komisioni Republikan serb i Zgjedhjeve ka vendosur që më 30 dhjetor të përsëriten zgjedhjet për deputetë në 28 qendra votimi.
“Komisioni Republikan i Zgjedhjeve nuk është kompetent dhe nuk mund të veprojë sipas kërkesës së opozitës për përsëritjen e zgjedhjeve në Beograd”, ka thënë kryetari i Komisionit, Vlladimir Dimitrijeviq, në mbledhjen e këtij organi.
Komisioni Republikan Zgjedhor në Serbi ka mbajtur një mbledhje në të cilën u fol për përsëritjen e zgjedhjeve për deputetë në disa vendvotime në Serbi.
Në këtë mbledhje është marrë vendim që më 30 dhjetor të këtij viti të bëhet rivotim në rreth 28 vendvotime në Serbi, transmeton Paparaci.
Është konstatuar se në vendet ku përsëriten zgjedhjet janë gjithsej 12.240 votues. Votimi për zgjedhjen e deputetëve përsëritet në këto vende për shkak se nuk mund të përcaktohen rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor ose për shkak të anulimit të votimit.
Votimi do të përsëritet në disa vendvotime në komunat Babushnicë, Bojnik, Vllasotincë, Trstenik, Zhagubicë, Koceljevë, Leban, Petrovci në Mllav, Plandishtë, Rashkë, Svërlig dhe Qupri.
Rivotimi do të bëhet të shtunën, më 30 dhjetor nga ora 07:00 deri në orën 20:00.
“KRZ nuk është kompetent dhe as nuk mund të veprojë sipas kërkesës së opozitës për përsëritjen e zgjedhjeve në Beograd”, ka thënë kryetari i Komisionit, Vlladimir Dimitrijeviq.
Dimitrijeviq ka pretenduar se zgjedhjet e reja mund të shpallen nëse Kuvendi i qytetit të Beogradit nuk konstituohet ose nëse konstituohet, por nuk zgjedh kryetarin e komunës ose nëse nuk mbahet seanca më shumë se tre muaj.
Dimitrijeviq tha gjithashtu se përfaqësuesit e listës “Serbia kundër dhunës”, Marinika Tepiq dhe Mirosllav Alleksiq, e kanë njoftuar për hyrjen në grevë urie dhe se me rastin e paraqitjes së kërkesës kanë kërkuar nga ai që t’u japë mendim ligjor për materialin që kanë sjellë.
Ai ka thënë se “është munduar t’ju shpjegojë mangësitë ligjore, si dhe faktin se nuk mund të paraqesin kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe se KRZ-ja nuk mund ta shqyrtojë atë”.