Vendimi i Qeverisë për Transferimin e Kompetencave nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Administrative për trajtimin e çështjeve është i gabuar dhe i dëmshëm për komunitetit e Biznesit në Kosovë, vlerëson AKB.
Aleanca Kosovare Bizneseve (AKB) shpreh kundërshtimin e saj të fortë ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për transferimin e kompetencave nga Gjykata Komerciale në Gjykatën Administrative për trajtimin e çështjeve ku palë janë bizneset.
“Ky vendim shfaq një mungesë të rëndë të ndjeshmërisë dhe kuptimit të nevojave të komunitetit të biznesit dhe rrezikon të dëmtojë rëndë mjedisin e biznesit në Kosovë”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
“Gjykata Komerciale është rezultat i një angazhimi të zgjatur maratonik i AKB-së dhe i përbashkët me bizneset dhe partnerët vendor dhe ndërkombëtarë”.
Sipas Aleancës së Bizneseve, Gjykata Komerciale është një institucion kyç në ofrimin e një mjedisi më të drejtë dhe efikas për zgjidhjen e çështjeve të biznesore. Andaj vlerëson se propozimi për t’i hequr këto kompetenca është një akt i pashpjegueshëm i qeverisë, i cili nënkupton një mospërfillje të hapur të vlerave dhe parimeve që kanë ndihmuar në ngritjen e Gjykatës Komerciale si një institucion vital.
“Transferimi i kompetencave nuk është thjesht një çështje administrative; ai është një kërcënim i drejtpërdrejtë për zhvillimin ekonomik dhe për mundësitë e investimeve të huaja në Kosovë. Ky ndryshim do të sjellë një mosunifikim të praktikës gjyqësore për zgjidhjen e lëndëve komerciale, duke krijuar një labirint të ri të burokracisë dhe të vonesave të panevojshme”.
AKB i bën thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe institucioneve përgjegjëse që të rishikojnë me urgjencë këtë vendim joadekuat dhe të gabuar.
Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon që të ruhet mandati dhe kompetencat e Gjykatës Komerciale për trajtimin e lëndëve administrative të bizneseve, për të garantuar një trajtim të drejtë dhe efikas të çështjeve të tyre.
AKB i bënë thirrje udhëheqësve tanë të veproni me mençuri dhe të merrni vendime që mbështesin rritjen ekonomike besimin dhe stabilitetin e mjedisit të biznesit në Kosovë. “Kthimi mbrapa i këtyre vendimeve jo vetëm që do të ishte një zhgënjim, por edhe një dështim strategjik i qartë për të ardhmen e vendit tonë Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi i AKB-së.