Kur mund të pritet të zyrtarizohet Marrëveshja e Ohrit?

by engel

Është joreale të pritet zyrtarizimi i Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në fund të janarit 2024, thonë Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik nga Kosova, dhe Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Një gjë e tillë u paralajmërua edhe nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Ai tha se është në pritje të përgjigjes nga Kosova për këtë çështje, së cilës i janë ofruar “disa opsione”.

banner

Prishtina zyrtare këmbëngul që Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit, të nënshkruhet – gjë të cilën Beogradi zyrtar e refuzon.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u dakorduan gojarisht për të në muajin shkurt, ndërsa për aneksin e zbatimit të saj arritën pajtim në mars. BE-ja thotë se dokumenti është ligjërisht i detyrueshëm për të dyja palët edhe pa nënshkrim.

Çfarë thotë Kurti tjetër?

Kurti ofroi edhe hartimin e draft-statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në bashkëpunim me ministrat e tij: Nenad Rashiq i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Elbert Krasniqi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ky qëndrim i tij erdhi pasi Lajçaku, tha se për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin nuk është e nevojshme të nënshkruhet asgjë, sepse draft-statuti është një dokument “i brendshëm” i Kosovës.

“Akti juridik, ashtu siç është hartuar aktualisht [statuti], duhet të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Me nënshkrimin e Kosovës dhe Serbisë, statuti do të bëhej marrëveshje ndërkombëtare – gjë që nuk është”, tha Lajçak.

Duke iu përgjigjur kësaj, Kurti tha se nëse statuti është çështje e brendshme e Kosovës, ai është i gatshëm ta shkruajë atë vitin e ardhshëm, bashkë me ministrat e tij.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Rashiq, tha se është në dispozicion të kryeministrit nëse, në çfarëdo mënyre, është e nevojshme ndihma e tij për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Më 21 tetor, Lajçak, së bashku me përfaqësuesit e SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, u dorëzuan Prishtinës dhe Beogradit një draft-statut për formimin e Asociacionit, i cili, në parim, u pranua nga të dyja palët.

BE-ja tha se ai është “një propozim modern evropian për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë”.

Marrëveshjen për Asociacionin, që duhet t’u japë më shumë autonomi serbëve në Kosovë, Prishtina dhe Beogradi e arritën në vitin 2013.

Megjithatë, Kosova refuzoi ta zbatonte me arsyetimin se mund të ndikojë negativisht në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy