Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur sot në takimin homologun slloven, Marjan Sarec, ndërkaq kanë diskutuar rreth situatës së sigurisë në vend dhe më gjerë.
Maqedonci në një postim në Facebook shkruan se nga homologu Sarec kërkoi mbështetjen e Sllovenisë në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat euro-atlantike, për të cilin objektiv thuhet se ministri garantoi mbështetjen e padiskutueshme të shtetit slloven
“Theksova se sulmi i 24 shtatorit është shqetësues për faktin se prapa tij qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë, andaj duhet trajtuar me shumë vëmendje si veprim që tregon hapur tendencën për destabilizimin e vendit, rrjedhimisht të Ballkanit Perëndimor.
Krahas situatës së sigurisë ministrin Sarec e njoftova për të gjitha përparimet e FSK-së gjerë më tani, për kapacitetet dhe vullnetin tonë për të thelluar bashkëpunimin me forcat sllovene përmes trajnimeve dhe misioneve të përbashkëta, si dhe aktiviteteve të tjera ushtarake që mund t’i zhvillojmë përtej planit bilateral”, shkruan ai
Ministri më tej thekson se në takimin me Sarecin ka shprehur qëndrimin e Kosovës sa i përket luftës në Ukrainë dhe synimin e qartë që kemi si shtet për anëtarësim në BE, A5 dhe në NATO.
“E kaluara e përbashkët dhe qëndrimi pro vlerave perëndimore janë lidhja e pashkëputshme ndërmjet dy shteteve tona”, thuhet më tej.