Andoni: Ekspansioni politik i Kurtit në Maqedoninë e Veriut e rrezikon Kosovën, dëshiron të qëndrojë gjatë në pushtet

by Nexhat

Egoja e Kurtit prevalon mbi partinë, thotë publicisti Ben Andoni, sipas të cilit kryeministri i Kosovës po kërkon ta shrijë ndikimin e tij ngado. Përfshirja e Lëvizjes Vetëvendosje në garën për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, Andoni beson se rrezikon t’i cënojë edhe zgjedhjet në Kosovë. “Ekspansioni politik” i LVV-së, siç e quan ai këtë, sipas Andonit tregon se Albin Kurti ka synime të qarta afatgjate “për të qëndruar gjatë dhe fort në pushtet”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të garojë për pushtet edhe në Maqedoninë e Veriut. Partia e tij dje u fut zyrtarisht në koalicion me opozitën shqiptare në shtetin fqinj.

banner

Zgjedhjet parlamentare atje do të mbahen më 8 maj 2024 dhe Kurti është futur që herët në këtë garë, duke u renditur kah partitë shqiptare në opozitë si Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike.

Gazetari dhe publicisti shqiptar, Ben Andoni i tha Gazetës Express se Kurti “do ta shndërrojë Vetëvendosjen në një parti pan-kombëtare, duke kërkuar të shtrijë ndikimin e tij ngado”. Këtë plan të shefit të Qeverisë së Kosovës, ai e quan “disi agresiv” dhe “jo normal”.

“Në fakt, ishte e paralajmëruar prej vizitës së tij të paradokohshme në Maqedoninë e Veriut, porse një plan kaq konkret duket disi agresiv dhe jo normal në përçarjen që ekziston në atë vend. Por, ende Vetëvendosje s’e ka precizuar synimin në zgjedhje, veç qenësisë në opozitë dhe duket se verdiktin e fundit do ta japë institucioni që merret me administrimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, nëse e prek apo jo Kodin Zgjedhor të vendit. Po mendoj se edhe pa Vetëvendosjen, faktori shqiptar është shumë i përçarë në Maqedoni. Ky rast, thjesht do e konfuzojë dhe mbi të gjitha është larg sensit për një ideologji bashkëkombëtare dhe akoma më larg asaj që po bëhet në këtë fushë nga fushat e ndryshme shqiptare. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë nevojë të merren vesh mes tyre, para se të futen faktorë të jashtëm, qoftë edhe si Vetëvendosja, që tashmë nuk mund të konsiderohet më si risi”, tha Andoni.

Shpalosja e hapur e Kurtit me interesa politike edhe jashtë territorit të Kosovës, sipas Andonit do t’ia bëjë faktorit maqedon më të lehtë përballjen me faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Nga reagimi i z. Kovaçevski kupton se ka një element befasie dhe më shumë paqartësie për publikun, sepse ky është rasti i dytë pas Shqipërisë, që Vetëvendosja shpaloset hapur me interesa politike jashtë territorit të Kosovës. Tashmë, faktori maqedon do e ketë më të lehtë në përballje me atë shqiptar, sepse mund të përdori lehtësisht dhe elementin e ndërhyrjes së shqiptarëve në punët e brendshme të vendit. Ndërkohë, që shqiptarëve u duhet të tregojmë maturi dhe mbi të gjitha përpjekje për tu bërë bashkë dhe kjo është para çdo gjëje tjetër”, thotë ai.

Andoni beson se kjo shpërfaqje e Kurtit rrezikon t’i cënojë dhe zgjedhjet në Kosovë, pasi parashikon se partia e Kurtit do të përpiqet thjesht ta mbajë atë në pushtet dhe “ta shuajë pak e nga pak çdo fushë për opozitën”. Duke kujtuar edhe vitin 2021 kur Kurti u fut me partinë e tij edhe në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, publicisti thotë se kuptohet pse “nuk flitet më aq shumë për problematikat e mëdha të brendshme të Kosovës”, aq sa për “Kurtin si lider”.

“Po besoj se është egoja e Kurtit që prevalon mbi partinë. Vetëvendonja tashmë më duket thjesht si zgjatim i tij. Ndërsa më parë besonim se Kosova bënte zgjedhjet më të mira, parashikoj që edhe Kosova (lexo Vetëvendosja) këtej e tutje do ketë përpjekje thjesht të mbajë Kurtin në fuqi dhe të shuajë pak e nga pak çdo fushë për opozitën. Me këtë ekspansion të Vetëvendosjes për ndërfutje politike në Shqipëri e Maqedoni të Veriut kupton se pse nuk flitet më aq shumë për problematikat e mëdha të brendshme të Kosovës, por vetëm për Kurtin si lider dhe interesat e tij, që në fakt përcillen përmes Vetëvendosjes dhe aksioneve të tilla”, tha Andoni.

Përveç këtyre që ai i rendit si dëme që mund të derivojnë nga kjo lëvizje e partisë në pushtet në Kosovë, Andoni beson se skenari “do të jetë njësoj si edhe në Shqipëri” në vitin 2021.

“Po besoj se do jetë njësoj si edhe në Shqipëri. Njerëzit e thjeshtë, në këtë rast atë maqedon, duan të kenë përballë ata politikanë, që njohin dhe që kanë impakt në jetën politike-ekonomike-sociale. Ky lloj ekspansioni politik i Vetëvendosjes tregon se ata kanë synime të qarta afatgjata për të qëndruar gjatë dhe fort në pushtet. Kjo logjikë, që nuk fokusohet shumë në problematikat e brendshme, po mendoj se pak e nga pak do cënojë dhe zgjedhjet në Kosovë, sak atë fushë, ku Kosova krenohet para të gjithëve në Ballkan. Besoj se pak e nga pak kjo rrugë do e bjerrë Vetëvendosjen dhe nga votuesi i thjeshtë në Kosovë, që do përgjigjet e tashmë për ekonominë dhe problemet sociale dhe jo ëndrat për të garuar në Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri”, thotë Andoni.

Që prej ardhjes në pushtet, Kurtin duket se e intrigoi pjesëmarrja në skenën politike shqiptare edhe në shtetet përreth, në disa mënyra. Në Shqipëri i bëri zyrtarisht opozitë kryeministrit Edi Rama duke garuar me partinë e tij në zgjedhjet parlamentare në vitin 2021, në Luginë intervenoi duke e mbështetur një krah politik, e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut ia dha një dorë në gusht, në një vizitë atje që shkaktoi shumë polemika

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy