Rreth 3 milionë euro do t’i kushtojë buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, transporti i pjesëtarëve të FSK-së, për në kazermat ku punojnë. Këtë tender e ka fituar një operator privat nga komuna e Ferizajt, porse sipas ish ushtarakëve, ministria do të mund që këto para t’i investonte në logjistikën e FSK-së, e jo tek një kompani private.
Për herë të parë, pjesëtarët e FSK-së, nuk do të përdorin automjetet e autobusët e FSK-së, për të shkuar e kthyer nga kazermat ku punojnë.
Kjo tash e tutje do të bëhet nga një operator privat.
Ministria e Mbrojtjes, këtë muaj ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 2 milionë e 600 mijë eurove, për transportin e pjesëtarëve të FSK-së, për në 6 kazerma në qytete të Kosovës.
Kontrata është e ndarë në tri pjesë, në bazë të qyteteve.
“AK i MM, ka për qëllim që të lidhë një kontratë me një OE, qe do të ketë kapacitet të kryej ‘’Shërbimet e transportit të pjesëtarëve te FSK-së e ndare ne tri pjese; Pjesa 1 ’’Linjat e transportit për Kazermat Prishtine dhe Pomozotin ‘’ Pjesa 2 ’’Linjat e transportit për Kazermat Istog dhe Mitrovicë‘’ Pjesa 3 ’’Linjat e transportit për Kazermat Gjilan dhe Ferizaj‘’ Shërbimi duhet të behet sipas specifikimit teknik te kërkuar dhe Tender të përcaktuar në dosjen e tenderit me qellim të ngritjes se operacionalitetit dhe efikasitetit ne kryerjen e detyrave sipas misionit të FSK MM-së”, thuhet në kontratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Tenderi i hapur në maj të këtij viti, u finalizua tek në dhjetor, derisa në mesin e 6 kompanive konkuruese, atë e ka fituar një kompani nga Ferizaj, e cila edhe njoftoi vetë përmes Facebook.
Por, se si ishte organanizuar më herët transporti i ushtarëve të FSK-së, tregon ish ushtaraku Hysen Gecaj.
“Në të kaluarën pjesëtarët e FSK-së, kanë lëvizur me autobusë dhe kombibusë të FSK-së, të cilët janë mirëmbajtur nga logjistika e FSK-së, një kohë dhe më vonë pastaj ka filluar kjo mirëmbajtje të bëhet nga mekanikë që nuk kanë takuar strukturës së FSK-së, përmes tenderëve të ndryshëm, kjo ka qenë mënyra se si janë transportuar deri më tani por ka pasur vështirësi të shumta, dhe sigurisht disa herë nëpër media edhe është përmendur ku janë parë pjesëtarët e FSK-së, duke lëvizur me autobusë civile, privat edhe duke munduar me paratë e veta të i rregullojnë automjetet”, tha Hysen Gecaj, ish ushtarak.
Ai shton se shpenzimi i një shume kaq të madhe, është e gabuar meqë sipas tij, me këto para, mund të fuqizohej sektori i logjistikes në FSK.
“Më mirë do të ishte që ato të i jepeshin vetë FSK-së, dhe logjistikës së FSK-së, për dy arsye një që do bëhej mirëmbajtja prej vetë pjesëtarëve të FSK-së, aty dhe e dyta që do ta ndihmonte vetë sektorin e logjistikës sepse ato para nuk do të ishin përdorur vetëm për rregullimin e mjeteve të transportit, për pjesëtarët e FSK-së, por edhe për zhvillimin e kapaciteteve të tjera”, tha Gecaj.
Në lidhje me këtë çështje, televizioni ka pyetur edhe Ministrinë e Mbrojtjes, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ky tender, ishte anuluar njëherë, gjatë muajit gusht, nën arsyetimin se një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkonte anulimin e aktivitetit të prokurimit, e që kishte të bënte me pjesën e dytë të tenderit