Pas katër ndeshjeve radhazi pa fitore, Manchester United u rikthye sonte te fitorja në Premierligë.
Madje, skuadra e drejtuar nga Erik ten Hag triumfoi me përmbysje spektakolare ndaj Aston Villas. Kjo ndeshje i takoi javës së 19-të, shkruan Gazeta Express.
Përballja në “Old Trafford” dhuroi pesë gola, me Man United që në fund iu gëzua fitores me rezultatin 3:2.
Aston Villa krijoi fillimisht epërsi të dyfishtë, me golat e John McGinn (21’) dhe Leander Dendoncker (26’).
Por, “Djajtë e Kuq” ia dolën të përmbysin gjithçka në pjesën e dytë.
Alejandro Garnacho (48’) shënoi një gol që iu anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë loje. Mirëpo, argjentinasi shënoi dy herë pastaj (59’, 71’), për të barazuar shifrat.
Më vonë shënoi edhe Rasmus Hojlund (82’), për t’ia siguruar tre pikë vendasve.
Manchester United pas kësaj fitore ka 31 pikë dhe tani renditet i gjashti në tabelë.
Aston Villa mbetet e treta me tetë pikë më shumë.