Në ditën e fundit të vitit 2023, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka folur për të arriturat gjatë vitit që po lëmë pas dhe për planet në vitin 2024.
Bislimi ka thënë se “po mbyllet edhe ky vit, i shënuar nga ngjarje që herë kanë qenë shpresëdhënëse e herë sfiduese”
Ai ka deklaruar se në veçantinë e tij, 2023 ka qenë vit transformues,
“Jemi përkushtuar për të krijuar institucione që krijojnë mundësi për të gjithë, për të siguruar drejtësi e barazi dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për qytetarët tanë. E në fushat e Integrimit Evropian, Zhvillimit Ekonomik dhe Dialogut, jemi përballur me plot sfida e të cilat i kemi tejkaluar bashkë e ecur përpara me vendosmëri”, thotë ai
Ai ka shtuar tutje se kanë arritur të zhbllokojnë procesin e liberalizimit të vizave, ku tashmë pak orë na ndajnë nga fundi i regjimit të vizave.
“Zhvilluam edhe fushatën informuese, për të pajisur të gjithë qytetarët me informatat e nevojshme për udhëtime pa viza. E kemi bërë hapin e parë drejt anëtarësimit në BE në 2022 përmes dorëzimit të aplikimit në Pragë, e ku këtë vit punuam me Presidencën suedeze të Këshillit të BE-së, për trajtimin e kërkesës e për të cilët jemi falënderues për bashkëpunimin. Kërkojmë edhe më shumë këtë vit, nga presidencat e ardhshme belge e hungareze, sepse Kosova meriton të shkojë tutje drejt integrimit në familjen evropiane”, shton mes tjerash ai.
Tutje ai ka folur edhe për zhvillime tjera
“Përveç Stockholm-it, vizituam dhe Hagën, Parisin e Brukselin, për të njoftuar disa prej partnerëve tanë më së afërmi me zhvillimin, progresin tonë dhe gatishmërinë për të bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit të plotë në BE. Duke patur këtë objektiv si prioritet, vijuam bindshëm me konsolidimin e strukturave koordinuese vendore të integrimit evropian në të gjitha nivelet, për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional. Institucionet tona, janë të gatshme e të përgatitura për marrjen e pyetësorit e plotësimin e tij me kohë e seriozitet maksimal”, theksohet ndër tjera në postimin e tij.
Zëvendëskryeministri tutje thotë se “me BE-në filluam të negociojmë dhe mbi Planin e Rritjes, ku planifikojmë të kemi akses në rreth 950 milionë euro, me qëllim financimin e projekteve të ndryshme investive, për të mirën publike e atë të qytetarëve”.
“Vazhduam me miratimin e reformave në kuadër të integrimit evropian, e ku tashmë kemi dhe Planin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2023-2027, miratuar gjatë këtij viti. Ndërkohë raporti për vendin nga Komisioni Evropian, theksoi uljen ndjeshëm të nivelit të papunësisë nga 19% në 11.8%. E rritja ekonomike, vazhdoi me ritme pozitive në rreth 3.8%, më e larta në Ballkanin Perëndimor, konstatuar dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore”
Ai ka folur edhe për marrëveshjet e nënshkruara dhe sulmin në veri.
“Me Bashkimin Evropian, nënshkruam marrëveshje financiare nga programet IPA, e ku me IPA 2023, u mundësua ndihma financiare për vendin në shumën mbi 75 milionë euro, për përballjen me krizën energjetike. Qasja e fqinjit tonë verior, u bë dhe më agresive këtë vit, kur zhvilluan fushata të frikësimit ndaj qytetarëve për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit, sulmuan institucionet tona në veri, KFOR-in dhe gazetarët përmes grupimeve kriminale, rrëmbyen tre zyrtarë tanë policor brenda territorit të Republikës sonë dhe organizuan një akt agresioni e ushtarak, me qëllim aneksimin e veriut e destabilizimin e rajonit ku vranë dhe rreshterin e heroin Afrim Bunjaku”.
“Kemi Marrëveshjen Bazike të Brukselit e Aneksin e Zbatimit të Ohrit, të cilën Serbia refuzon në vazhdimësi ta nënshkruajë. E përveçse verbalisht, tashmë refuzimin e kemi edhe në të shkruar e si qëndrim zyrtar, përmes letrës së kryeministres Brnabiq gjatë këtij muaji”
Bislimi shton mes tjerash se “Serbia insistoi në mosnjohjen e shtetit tonë, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, e ku shtoi dhe një element më të rrezikshëm, mosnjohjen e sovranitet e integritetit territorial, theksuar nga Vuçiç me 26 tetor pas takimeve të Brukselit e poashtu dhe në letrën e Brnabiq”.
Në vitin 2024, Bislimi thotë se duhet reagim më vendimtar nga ana e BE-së.
“Në 2024, duhet reagim më vendimtar edhe nga ana e BE-së në dënimin e agresionit në Banjskë, qasjes shkallë-shkallë gjithnjë më eskaluese të Serbisë dhe mungesën e konstruktivitetit nga ana e tyre në dialog.
Kosova do të vazhdojë të jetë e kujdesshme dhe vigjilente, gjithmonë e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër, e zbatimin e marrëveshjeve reciprokisht, në mënyrë të drejtë, të balancuar e të barabartë”, theksoi ai.
“Targat dhe energjia ishin dy nga çështjet që u adresuan dhe ecën drejt epilogut, pas këmbënguljes në qëndrimet tona parimore e të drejta. Pas më shumë se 20 vitesh rryma do të paguhet në veri, e pas më shumë se 10 vitesh Serbia njoftoi se do t’i njohë targat RKS. E për Luginën e Preshevës, e rritëm mbështetjen edhe për 2024, ku ndamë kësaj radhe plot 3 milionë euro, për ruajtjen e kulturës, traditave e identitetit shqiptar. Shkojmë drejt 2024, me vullnet të plotë për punë të mbara e në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë”