Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK) Ramush Haradinaj, ka komentuar deklarimet e fundit të Presidentes, Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti, se grupi që kreu sulmin e 24 shtatorit, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.
Haradinaj tha se e sheh rrezikun në veri, por se fajtor për këtë është Kurti për strategji të gabuar.
Ai thotë se SHBA-ja ka ofruar plan të caktuar por se Kurti dëshiron të bëjë heroin e vonuar në dëm të sigurisë.
“E shoh rrezikun në veri, por rreziku vjen nga strategjia e Kurtit. Amerikanët i kanë ofru Kosovës, kryeministrit Kurti një plan të përbashkët si me i tejkalu këtë etapën e dialogut, pa u rreziku veriu – ju kujtohet ajo koha e targave, por Kurti ka gjetë një rrugë tjetër, po dëshiron ta bëjë heroin e vonuar në dëm të sigurisë. Kurti, duke e pa gjendjen jo të mirë në ekonomi, e problem të tjera me korrupsionin, ai shpreson me incidente në veri, në nacionalizëm për me e rritë “ratingun”, u shpreh Haradinaj.
Për veriun, kreu i AAK-së thotë se mund të jetë edhe njëfarë koordinimi mes Kurtit-Osmanit me Vuçiqin.
“E kam kështu një dyshim shumë bazuar se janë në koordinim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, tani ai duhet ta bëjë një veprim në mënyrë që t’ua rritë “ratingun”, këtyrë. Këta ia bënë atij (Vuçiqit) sa i kishte zgjedhjet, ai ua bënë Osmanit e Kurtit. E kam një bindje se është një marrëveshje”, tha më tej ai.
Pse sipas Haradinajt kryeministri Kurti është tradhtar?
“Mendoj që ne duhet me marrë hak për Kosovën, të gjithë. Për shembull, edhe unë, sepse Kosovës i ka ndodhur njëherë një tradhti. Dikur Kurti dhe Vetëvendosje me vite të tëra e kanë sulmuar e fyer çdo vlerë të Kosovës, vetëm për me thënë se këta janë të këqij, dhe Kurti dhe Vetëvendosje janë të mirë. Kur të vijnë pastaj në pushtet, Kurti dhe LVV do të këtë zhvillim, shpresë, siguri, barazi”.
Pra, janë sulmu krejt vlerat, janë fëlliq, janë fyer, s’kanë lënë gjë pa fëlliqur në këtë vend dhe kur ka ardhë Kurti në pushtet, e ka tradhëtu popullin e vet, se nuk ia ka sjell ato që ia ka premtuar dikur. Pra është e kundërta e premtimeve të veta – andaj kjo është tradhti. Kur e quaj tradhti,…, cili është interesi i Kosovës. Interesi i Kosovës, ka qenë dhe është dhe mbetet i përjetshëm, ofrimi ose lidhja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, dhe hyrja në NATO”, tha lideri i AAK-së.
Sipas tij, Kurti nuk po e çon Kosovën shumë më shumë kah siguria, NATO-ja, e kah zhvillimi, por ai po vazhdon me vallëzu me Serbinë, me do incidente në veri, duke mos i dëgjuar amerikanët, dhe strategjinë amerikane për me na mbajtë ne në agjendën serbe dhe ruse.
“Pra kjo është tradhti ndaj interesave nacionale të Kosovës. Vitin që po vjen, do të hyjmë në liberalizimin e vizave, por jemi larg pasigurisë, ndaj një lufte, ndaj incidenteve, kjo është kthim prapa për ekonominë për zhvillim, për interest ë Kosovës”, deklaroi Haradinaj.