I dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se pret që zgjedhjet në Veri të shpallen pa vonesa të mëtejshme.
Ai për median serbe, Politika, ka thënë se është e rëndësishme që ka nisur themelimi i grupeve nismëtare për nënshkrimin e peticionit
Lajcak shtoi se rithemelimi i pushteteve lokale në veri të Kosovës është i nevojshëm për deeskalimin e situatës.
“Presim që zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës të shpallen pa vonesa të mëtejshme dhe është e rëndësishme që procesi drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash në katër komuna më në fund filloi me themelimin e grupeve iniciative të serbëve të Kosovës në fillim të dhjetorit. Rithemelimi i pushteteve lokale plotësisht përfaqësuese në veri të Kosovës është i nevojshëm për deeskalimin e situatës në terren dhe për procesin më të gjerë të normalizimit, si dhe është i nevojshëm për vazhdimin e krijimit të shoqatë/bashkësi. Më vjen keq që regjistrimi i grupeve iniciative fillimisht u përball me pengesa të papritura administrative, por që atëherë kam marrë garanci nga Kosova se këto probleme do të zgjidhen së shpejti në mënyrë që mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të komunës të fillojë menjëherë”, tha ai