Nga sot nis qarkullimi me targa RKS në Serbi

by engel

Përveç faktit se Kosovarët nga sot mund të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Europian, ata nga sot me automjetet e tyre të regjistruara me targa RKS do të mund të qarkullojnë lirshëm në Serbi. Kjo pasi që javën e kaluar qeveria serbe ka vendosur që t’i njohë këto targa.

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion bëhet vetëm për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpallja e njëanshme e pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë” – kishte thënë drejtori i ashtuquajtures “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviq, sipas raportimeve të mediave serbe.

banner

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se me këtë vendim, qeveria e tij ka shmangur “grackat dhe rreziqet e mëdha” për vendin. Ai pati shtuar se ky vendim do të jetë në dobi të popullit serb dhe të Serbisë në tërësi.

Ky vendim ishte vlerësuar edhe nga Bashkimi Europian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano e ka quajtur si hap pozitiv drejt zbatimit të Marrëveshjes së Normalizimit të Marrëdhënieve, vendimin e Serbisë për t’i njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova.

Mirëpo, ndryshe është parë ky vendim nga krerët e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ky vendim i qeverisë serbe duhet të lexohet si përpjekje e Serbisë për të ulur presionin perëndimor lidhur me parregullësitë në zgjedhjet e 17 dhjetorit, refuzimin e marrëveshjes bazë të Brukselit e dështimit në Banjskë më 24 shtator.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ky vendim nuk tregon konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është maskim, përmes të cilit duan të kamuflohen pas dështimit në Banjskë.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të ketë reciprocitet në targa të automjeteve ndaj Serbisë. Serbët lokalë të veriut të Kosovës kundërshtuan vendimin e ekzekutivit kosovar duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, më 30 shtator të po atij viti, me ndërmjetësim të BE-së, u arrit marrëveshja e përkohshme mes Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave të automjeteve.

Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3,405 qytetarë në veri kanë konvertuar targat e tyre në RKS.

Çështja e targave ka shkaktuar kriza në veri vitin e kaluar, që çuan në protesta, daljen e serbëve nga institucionet dhe vendosjen e barrikadave.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy