Guterres kërkon përmbajtje pas sulmit në Bejrut ku u vranë zyrtarë të lartë të Hamasit

by Nexhat

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka kërkuar përmbajtje maksimale nga të gjitha palët pas sulmit në Bejrut të Libanit ku u vra zëvendësshefi politik i Hamasit, Saleh al-Arouri, si dhe dy komandantë të lartë, transmeton “Anadolu”.

“Sekretari i përgjithshëm u kërkon të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të ndërmarrin hapa urgjente për t’i ulur tensionet në rajon”, tha në një konferencë për media zëdhënësja e OKB-së, Florencia Soto Nino.

Ajo tha se OKB-ja u bën thirrje të gjithë anëtarëve të komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për ta parandaluar një përshkallëzim të situatës.

“Ne nuk duam ndonjë veprim të nxituar që mund të shkaktojë dhunë të mëtejshme”, tha Nino.

Arouri u vra në një sulm në një zyrë të Hamasit në Mecherfeh në Bejrutin jugor. Raportohet për të paktën shtatë të vrarë. Hamasi konfirmoi vdekjen e Arourit dhe tha se dy komandantë të krahut ushtarak të grupit u vranë gjithashtu.

Arouri është lideri më i lartë i Hamasit që është vrarë, që nga shpërthimi i konfliktit të Gazës më 7 tetor

Tensionet janë rritur përgjatë kufirit midis Libanit dhe Izraelit mes shkëmbimeve të zjarrit midis forcave izraelite dhe Hezbolluhat, në përleshjet më vdekjeprurëse që kur të dy palët luftuan në një luftë në shkallë të gjerë në vitin 2006.

Tensioni kufitar vjen në mes të një ofensive ushtarake izraelite në Rripin e Gazës pas sulmit ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Në sulmin e Hamasit në jug të Izraelit u vranë 1200 persona dhe u morën 240 pengje.

Ndërsa në sulmet izraelite në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, të paktën 22.185 palestinezë janë vrarë dhe 57.035 të tjerë janë plagosur

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy