Në gjysmën e parë të vitit 2024 në të 27 vendet anëtare të BE pritet të zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin e ri Europian. Rritja e shifrave të migrantëve ilegalë dhe refugjatëve si edhe procedurat e azilit, sipas sondazheve, do të jenë temat kryesore të fushatës zgjedhore.
Të treja vendet kryesore të destinacionit të migrantëve në BE, Gjermani,Francë dhe Itali u ashpërsuan ligjet kombëtare për të ulur numrin e migrantëve ilegalë dhe për të lehtësuar dëbimet.
Gjermania
Nga Zyra Federale e Migracionit dhe Refugjatëve, BAMF, bëhet e ditur se gjatë vitit 2023, 350.000 nga më shumë se 1 milionë azilkërkues në BE e shtrojnë kërkesën për azil në Gjermani. Krahas azilkërkuesve nga Siria, Afrganistani dhe Turqia në Gjermani janë strehuar më shumë se 1 milionë refugjatë nga Ukraina. Qeveria e koalicionit të socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve ka reaguar me ashpërsimin e disa ligjeve. Kështu “ligji i shanseve për qëndrim” do të lehtësojë futjen në punë të migrantëve dhe integrimin në shoqëri, nëse ata jetojnë të paktën 5 vjet në vend. Kurse “ligji për përmirësimin e dëbimit” do të lehtësojë kthimin e azilkërkuesve të refuzuar në vendet origjinë, që me ligjin e ri mund të qëndrojnë më gjatë në paraburgimin e dëbimit, po ashtu apartamentet e tyre mund të kontrollohen më lehtë dhe dëbimet mund të bëhen pa afate të gjata paralajmërimi. Një tjetër ligj modernizon të drejtën e nënshtetësisë. Gjermania lejoi në vitin 2023 nënshtetësinë e dyfishtë. Koha e pritjes reduktohet nga tetë në pesë vjet. Por në rast antisemitizmi dhe racizmi të aplikuesit mund të refuzohet e drejta e nënshtetësisë.
Franca
Asambleja Kombëtare Franceze pak para fundit të vitit miratoi një ligj të ri migracioni me votat e partisë populiste të djathtë, “Rassemblement national”. Kryetarja e partisë, Marine Le Pen bëri fjalë për fitore ideologjike për politikën e saj “Franca e para”. Presidenti liberal, Emmanuel Macron nuk ishte i varur drejtpërdrejt në parlament nga Rassemblement national” por nga votat e republikanëve konservatorë që votuan për ashpërsimin e rregulloreve.
Macron do të lejojë verifikimin e ligjit në Këshillin Kushtetues. Me ligjin e ri migrantët ilegalë mund të dëbohen më lehtë, qasja tek ndihmat sociale vështirësohet dhe bashkimi familjar kufizohet. Studentët e huaj duhet të ofrojnë si kusht një depozitë financiare para ardhjes në Francë. 70% e francezëve mbështesin ashpërsimin e ligjeve të migracionit.
Greqia, Hungaria, Austria dhe Holanda
Në Greqi kthimi drejtpërdrejt i migrantëve në kufi apo kthimi i motobarkave në ujërat territoriale turke (pushbacks) është më shumë rregull se përjashtim. Këtë e kritikon organizata ECRE në raportin e saj të fundvitit në Bruksel. Qasja tek procedurat e azilit është shumë e vështirë, sepse migrantët në kohën e pritjes për aplikim nuk kanë të drejtë për ndihma sociale. Për disa orare aplikimi në Greqi kërkohen 100 euro tarifë nga migrantët, një procedurë që nuk gjendet në vend tjetër të BE.