Kryeparlamentari, zëvendëskryeministri, ministra e deputetë nëpër gjykata për vepra penale gjatë 2023-ës

by Nexhat

Prej udhëheqësit të Parlamentit, Glauk Konjufca e deri te zëvendëskryeministri, ministra e deputetë, vazhduan të përballen me aktakuza për vepra të ndryshme penale gjatë vitit 2023.

Kryekuvendari Glauk Konjufca me aktakuzë për gazin lotsjellës

banner

Galuk Konjufca, kryetar i Parlamentit, kishte harruar të shkonte në seancën e fundit, më 20 dhjetor 2023 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të përballet me akuzën e ngritur më 2017 për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend. Seanca është shtyrë për vitin 2024, ku Konjufca do të paraqitet sërish para gjykatës.

Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016 gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku të pranishëm ishin ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe ish-deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Valdete Bajrami, Sllobodan Petroviq dhe deputeti Pal Lekaj, i njëjti ka hedhur gaz lotsjellës, me ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen

Për këto akuza, i njëjti në seancën e mbajtur më 19 prill 2022 ishte deklaruar i pafajshëm.

Aktualisht, gjykimi ndaj tij është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve, e që deri më tani si dëshmitarë janë dëgjuar ish-deputetët Adem Grabovci dhe Ismet Beqiri.

Ndërsa, në këtë rast, Konjufcës i është parashkruar vepra penale “Pengim i personave zyrtarë”.

Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë, edhe më 22 shkurt 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj kryekuvendarit Konjufca, dhe Pal Lekajt, Besa Baftijajt, Aida Dërgutit, Time Kadrijajt, dhe Teuta Haxhiut lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës, në dhjetor 2015.

Edhe ministrja e Drejtësisë e akuzuar për gazin lotsjellës në Kuvend

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i ngarkon të njëjtit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së, që dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në 5 vjet.

Sipas aktit akuzues, më 19 shkurt 2016, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa Haxhiu, Lekaj, Bujupi dhe Baftiu ishin duke u kthyer në sallë, tek të njëjtit, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, ishte gjetur nga një bombolë e gazit lotsjellës.

Pas gjashtë dështimeve, seanca e shqyrtimit fillestar për këtë çështje ishte mbajtur më 14 prill 2021, ku të njëjtit ishin deklaruar të pafajshëm për veprën me të cilën ngarkoheshin.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 maj 2021 i kishte liruar nga akuza ministren Haxhiu, deputetin Lekaj dhe ish-deputetet Kadaj-Bujupi dhe Baftiu në mungesë të provave.

Mirëpo, këtë vendim e ka prishur Gjykata e Apelit dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Ndërsa, në seancën e 10 shkurtit 2023, Gjykata Themelore ka vendosur të bëhet një ekspertizë balistike jashtë shtetit.

Shefja e arsimit ngarkohet se posedoi sprej në Parlament

Ministrja aktuale e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci po ballafaqohet në gjykatë lidhur me akuzën për armëmbajtje pa leje pasi ngarkohet se ka poseduar sprej në Kuvendin e Kosovës.

Në seancën e 10 qershorit 2022, Nagavci ishte deklaruar e pafajshme për veprën penale që i vihet në barrë.

E në shqyrtimin e dytë, ajo kishte deklaruar se veprimet e saj kanë qenë të natyrës politike, me qëllim të përmbushjes së obligimit si deputete, për mbrojtjen e interesit më të mirë të vendit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me vendimin e datës 2 gusht 2023, ka konfirmuar aktakuzën ndaj saj.

Aktakuza ndaj ministres Nagavci rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 30 korrik 2019.

Ajo po akuzohet se më 21 mars të 2018-ës, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës, në të cilën ishte hedhur gaz lotsjellës, gjatë kontrollimit nga policia asaj i ishte gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Arbërie Nagavcin po e akuzon se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Ministrja Hajdari e dënuar për mosraportim të pasurisë dhe për kundërvajtje

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) Rozeta Hajdari, më 29 dhjetor 2023, nga Gjykata Themelore në Prishtinë është dënuar me 700 euro gjobë lidhur me akuzën për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor, i cili vendim më 20 shkurt 2023 ka marrë vulën e plotfuqishmërisë.

Për këtë akuzë, ajo në seancën fillestare e kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 13 tetor 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rozeta Hajdari akuzohej për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor.

Me këtë, Hajdari akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

E njëjta gjykatë, ministren Hajdari më 24 tetor 2023, e ka dënuar me 200 euro gjobë për akuzën lidhur me aksidentin ku goditi një fëmijë. E ky vendim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Lidhur me këtë rast, kërkesa Hajdarit për inicim të procedurës së kundërvajtjes ishte bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohej me “mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “aksident komunikacioni me lëndime trupore”.

Sveçlës dhe të tjerëve iu parashkruhet vepra penale për huliganizëm gjatë protestës

Më 27 qershor 2023, ministrit aktual të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe të tjerëve, iu është parashkruar aktakuza për huliganizëm gjatë protestës së VV-së më 2013.

Ministri Sveçla dhe tre deputetët e Vetëvendosjes të akuzuar për gaz lotsjellës

Ndaj ministrit Xhelal Sveçla rëndon edhe një akuzë tjetër, ku ai dhe tre deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare. Si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e

Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.

Për të njëjtit, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë, të cilët i ngarkon me nga dy vepra penale.

Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzohen për përdorim të armës nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, për pengim të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej 3 muaj deri në 3 vjet.

Përleshja në Kuvend, zëvendëskryeministri me aktakuzë bashkë me tre deputetë të PDK-së

Vera e vitit 2023, u karakterizua me përleshjen e ndodhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në të cilën u përfshinë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe deputetët Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mërgim Lushtaku.

Ndërsa, për këtë rast Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 tetor 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtëve.

Sipas akuzës, Besnk Bislimi, Mërgim Lushtaku dhe Hajdar Beqa po akuzohen për veprën penale “Sulmi”, kurse Beqa akuzohet po ashtu edhe për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”. Ndërsa, për “Lëndim të lehtë trupor” akuzohet Bekim Haxhiu.

Aktakuzat ndaj deputetit Pal Lekaj

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, njëherit ish-ministër i Infrastrukturës, të cilin e akuzon për korrupsion, për rastin e njohur si “53 milionëshi”.

Deputeti Lekaj së bashku me Eset Berishën, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatrin, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Besim Tahirin, drejtor i Prokurimit Publik, nga Prokuroria Speciale, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me 6 muaj deri në 5 vjet.

Aktualisht, ky rast ende është në fazën e shqyrtimit gjyqsor në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pal Lekaj po përballet edhe me aktakuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Lekaj po ballafaqohet edhe me akuzën se në nëntor të 2015-ës, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në hollin e Kuvendit të Kosovës. Aktakuza ndaj tij rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 1 qershor 2017.

Lekaj po akuzohet se më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit, me qëllim të pengimit të punës së deputetëve, ka hedhur gazin lotsjellës, me ç’rast për disa minuta është ndërprerë puna dhe deputetët e të pranishmit e tjerë, janë detyruar të largohen nga holli dhe salla e Kuvendit.

Kjo aktakuzë Lekajn e ngarkon me veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, par.2 të Kodit Penal, e dënueshme me gjobë deri në 10 mijë euro dhe me burgim prej një deri në 10 vjet.

Mirëpo, gjykimi për rast ende nuk ka filluar edhe pse avokati i tij, Musa Damati ka konfirmuar se tash e 5 muaj janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës nga prokuroria, por gjykata ende nuk i ka ftuar të njëjtit.

Deputeti Haxhi Avdyli me akuzë për mosraportim të pasurisë

Haxhi Avdyli, deputet nga radhët e Grupit Parlamentar Lëvizja Vetëvendosje, po akuzohet për mosraportim të pasurisë brenda afatit ligjor, e që për këtë akuzë i njëjti më 8 shkurt 2023, ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 20 maj 2022, ka ngritur aktakuzë kundër Haxhi Avdylit, të cilin e ngarkon për mosraportim të pasurisë brenda afatit ligjor.

Sipas aktakuzës, më 31 mars 2021, i pandehuri Avdyli, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë brenda afatit ligjor.

Deputeti Xhavit Haliti i akuzuar për sulm ndaj deputetit Arben Gashi

Si pasojë e një kontakti fizik që kishte ndodhur më 18 maj 2018, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mes të deputetit të Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Halitit.

Përpos tij, me aktakuzë është ngarkuar edhe ish-deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, i cili pretendohet se në të njëjtën ditë ka kërcënuar deputetin Gashi.

Sipas aktakuzës së 31 majit të vitit 2019, Haliti akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm”, ndërsa Dreshaj për veprën penale “Kanosje”.

Prokuroria, bashkë me aktakuzë, ka bërë propozimin që ndaj tyre të shqiptohet urdhër ndëshkimor, në dënim me gjobë.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 tetor 2019, i kishte dënuar me nga 1 mijë e 250 euro gjobë deputetin Xhavit Haliti dhe ish-deputetin nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gani Dreshaj, për sulm dhe kanosje të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.

Ndaj vendimit për shqiptim të urdhrit ndëshkimor, brenda afatit ligjor kishte parashtruar kundërshtim mbrojtja e të akuzuarit Haliti, i cili edhe ishte aprovuar.

Megjithatë, shqyrtimi gjyqësor ndaj Halitit ende vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa më 18 maj 2024 ky rast arrin parashkrimin e ndjekjes penale.

Deputeti Valon Ramadani i akuzuar për dy vepra penale

Për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, akuzohet edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, njëherit ish-kandidat për kryetar të Komunës së Ferizajt.

Deputeti Ramadani po akuzohet nga prokuroria se më 21 mars 2018 në seancën e jashtëzakonshme që po zhvillohej në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kishte hedhur gazin lotsjellës, si dhe kishte penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast ishin ndërprerë punimet e kësaj seance.

I njëjti ngarkohet për dy vepra penale dhe atë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, par.1 të KPRK-së, vepër kjo e cila dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet, si dhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare”, nga neni 409, par.1 të KPRK-së, e dënueshme me 3 muaj deri në 3 vjet.

Gjykata Themelore në Prishtinë në shtator të vitit 2021, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit Ramadani, por që edhe pas ankesave kjo aktakuzë ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit. Ndërsa, shqyrtimi gjyqësor ende nuk është caktuar për këtë rast.

Deputeti Salih Zyba me akuzë për sulm ndaj policëve

Ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Salih Zyba, rëndon akuza se në gusht të 2015-ës, ka fyer e sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë tek Komuna e Prishtinës të cilëve iu kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria Themelore në Prishtinë me aktakuzën e përpiluar më 29 janar 2016, Zybën e akuzon se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410, paragrafi 2 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Për këtë rast, sipas shkresave të lëndës, më 10 qershor 2021 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte mbajtur seanca fillestare, në të cilën i akuzuari Zyba ishte deklaruar i pafajshëm.

Lidhur me këtë, kjo gjykatë më 1 korrik 2021 kishte konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit Zyba, e që më pas më 23 korrik 2021, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar këtë aktakuzë. Kurse, deri tani shqyrtimi gjyqësor ende nuk është caktuar nga gjykata.

IKD në vazhdimësi ka avokuar që personat që kanë probleme me ligjin të mos ushtrojnë funksione publike si dhe që të mos përfshihen në lista zgjedhore. Kjo me qëllim që të sigurohet integritet në qeverisje, duke përçuar mesazhin e detyrimit për respektim të ligjit tek qytetarët. Ndonëse për të njëjtit vlen prezumimi i pafajësisë, pa dyshim se lë shije të hidhur tek publiku dhe zbeh imazhin e politikanit, kur persona të tillë ballafaqohen me drejtësinë për vepra të ndryshme penale, e disa prej tyre edhe për vepra korruptiv

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy