Dhuna që çoi tek rritja e KFOR-it në Kosovë, viti i ndryshimit të qasjes nga NATO

by Nexhat

Trendi në rënie i prezencës së ushtarëve në misionin e saj në Kosovë, KFOR-in, nga shifra prej 50 mijë, ndër vite kishte prekur një minimum prej rreth vetëm 4500 ushtarësh.

Por, qartazi, 29 maji ishte një tregues se gjërat kishin nevojë për ndryshime rrënjësore

banner

Atë ditë, 93 pjesëtarë të KFOR-it përfunduan të lënduar, shumë prej tyre me lëndime të rënda.

Ky ishte bilanci i protestave të dhunshme të serbëve, me infiltrimin e grupeve kriminale, që kundërshtonin hyrjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale të Zveçanit, Leposaviqit, Mitrovicës së Veriut e Zubin Potokut.

Gjatë gjithë vitit 2023, KFOR-it pati dukshëm më shumë angazhime në vend.

Prandaj, NATO vendosi që të rris numrin e trupave, pas ftesës, përgjigje pozitive aleanca mori nga shtete si Britania e Madhe, Turqia e Gjermania.

Madje, një pjesë e tyre mund të qëndrojnë përherë në Kosovë, në rast se bëhet realitet një nismë e theksuar disa herë nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, që gjatë vitit qëndroi edhe në Kosovë

“Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Ky deklarim i Stoltenberg, për diplomatin nga Shqipëria, Agim Nesho, është një paralajmërim për Serbinë dhe Rusinë.

“Ajo që ka bërë sekretari i Përgjithshëm është një masë preventive për t’i thënë edhe Serbisë por edhe Rusisë që në veriun e Kosovës do të jenë forca të shtuara të NATO-s dhe çdo gjë që mund të ndodhë aty, do të jetë një konflikt midis NATO-s dhe agresorit të mundshëm në të ardhmen”, tha për TV Dukagjinin Agim Nesho, diplomat

Nesho ka shërbyer për disa vite si ambasador i Shqipërisë në SHBA, e përfaqësues i shtetit shqiptar në OKB.

Ai thekson se Kosova duhet të anëtarësohet me hapa të shpejtë në NATO.

“Ajo që NATO do të duhej të mendonte është procesi i integrimit sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në bashkësinë e vendeve anëtare të NATO-s. Kjo duhet të jetë zgjidhja, kjo duhet të jetë ajo që sekretari Stoltenberg dhe të gjithë kryetarët e shteteve duhet të mendojnë seriozisht”, tha diplomati

Në tetor ndodhi gjithashtu një ngjarje e rëndësishme.

Komandanti i ri i KFOR-it morri detyrën. Ozkan Ulutash u bë turku i parë që merr komandën e KFOR-it.

Përkundër këtij ndryshimi, Mentor Vrajolli që drejton Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, nuk pret ndonjë zhvillim të ri.

“Në situatën e tanishme, mendoj se shtetet kyçe anëtare të NATO-s janë të interesuara që NATO me e rritë fokusin në Kosovë dhe mendoj që në rrethanat e tanishme një individ do të ketë më pak impakt sesa që ka pasur para disa muajve”, tha Mentor Vrajolli nga QKSS.

Vrajolli thekson se deri kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, KFOR-i u tregua neglizhent për rreziqet.

“Deri vonë, edhe pasi që u ballafaquan me pasoja të drejtpërdrejta, nuk ishin aq vigjilent sa i përket zhvillimeve të fundit. Kohëve të fundit është një diskutim më i madh sa i përket rritjes së numrit të pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë. Duket qartazi se KFOR-i po e sheh një potencial për destabilizim i cili po duket qartazi se është duke ardhur nga Serbia”, tha Vrajolli.

Përderisa kërkesat e parreshtura të Kosovës për ofrimin me aleancën veriatlantike vazhdojnë të mos marrin përgjigje konkrete, akterë të ndryshëm destabilizues, rrijnë në gatishmëri që përveç vendit tonë, të shfrytëzojnë edhe hapësira në shtetet përreth, për të prodhuara kriza me ndikim në rajon e më gjërë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy