Ministri i Brendshëm Taulant Balla mbajti sot një konferencë me gazetarët e kronikës, ku paraqiti bilancet e vitit që lamë pas, dhe muajve që ai është në drejtim të këtij dikasteri
Në mesin e shumë pyetjeve, gazetari i News24, Igli Çelmeta u ndal tek një çështje që vijon të mbetet mister, ajo e “mbretit të kumarit”, Ervis Martinaj.
Ai iu drejtua Ballës duke i thënë se edhe pse kreu i qeverisë i kishte vendosur Drejtorit të Policisë afat 100 ditë për zbardhjen e ngjarjes, kanë kaluar mbi 350 ditë, dhe ende nuk ka asnjë informacion. Balla u shpreh se vijon të mbetet mister i pazgjidhur fati i Ervis Martinajt, por shtoi se policia ka shumë informacione, por ende nuk ka një tablo të qartë në mënyrë që të dalë dhe të flasë për publikun.
Gazetari: Në 7 shtator, 2022, Kur Muhamet Rrumbullaku mori drejtimin e Policisë, kryeministri Edi Rama i kërkoi afat 100 ditë për të zbuluar fatin e Ervis Martianjt. Nga skadimi i këtij afati kanë kaluar 384 ditë, ndërkohë ju keni në krye të Ministrisë së Brendshme rreth 5 muaj. Pse autoritet nuk janë në gjendje të thonë të vërtetën dhe të sqarojnë opinionin se çfarë ka ndodhur me këtë shtetas të Shqipërisë?
Balla: Unë nuk hyj në debat në shifra me ty sepse je i vëmendshëm në numërimin e ditëve në rastin në fjalë. E kam marrë detyrën në 15 korrikun të vitit të kaluar, dhe kjo çështje ka qenë një prej çështjeve të para në detyrë. Mbetet një sfidë ende e pazgjidhur sa i takon referimit në Gjykatë. Policia ka shumë informacion për këtë çështje, por sa kohë që dokumentimi i plotë i saj kërkon ende kohë dhe angazhim nga ana e policisë, nuk do të bëj një informacion të plotë. Kur te kemi një pasqyrë të plotë të kësaj çështje, mezi pres që të dal para jush për të sqaruar publikun