Prokurorët federalë në Washington e kanë akuzuar Trumpin në lidhje me trazirat, duke përmendur promovimin e teorive të rrejshme në lidhje me mashtrimet në zgjedhje dhe përpjekjet e tij për të zhbërë rezultatet. Trumpi është deklaruar i pafajshëm dhe ka vazhduar të gënjejë për zgjedhjet e vitit 2020
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, të shtunën, ditën e trevjetorit të trazirave në Capitol, do të mbajë dy tubime në Iowa si përpjekje për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Për të shënuar këtë ditë, presidenti Joe Biden planifikon të vizitojë Valley Forge të Pennsylvanias, vend në të cilin George Washingtoni dhe Ushtria Kontinentale kaluan dimrin e vështirë të Revolucionit Amerikan. Këshilltarët e Bidenit kanë thënë se ndalesa në shtetin vendimtar të zgjedhjeve do të ketë për temë rolin e Trumpit në trazirat e 6 janarit dhe do t’i ofrojë demokratit një mundësi të mirë për zgjedhjet e vitit 2024.
Me Bidenin dhe Trumpin, që me shumë gjasë do të përsërisin duelin e tyre pas atij të vitit 2020, që do të flasin për ngjarjen e njëjtë me pikëpamje të ndryshme që, sipas tyre, do t’u ofrojnë përparësi në garën presidenciale. Narrativat e duelit të tyre do të tregojnë se si sulmi ndaj zgjedhjeve shihet ndryshe nga partitë – dhe se si Trumpi ka vënë bast se trazirat nuk do të dëmtojnë kandidaturën e tij për president
Përkrahësit e Trumpit ia mësynë Capitolit në përpjekje për të ndalur Kongresin që të certifikonte fitoren e Bidenit dhe detyruan ligjvënësit dhe atëherë zëvendëspresidentin Mike Pence që të iknin për të shpëtuar jetët e tyre. Shumë militantë të Trumpit hynë në Capitol pas tubimit para Shtëpisë së Bardhë, në të cilin presidenti republikan i bëri thirrje turmës që të “të luftonte deri në ferr” ose “nuk do të keni më shtet”.
Të paktën nëntë persona kanë vdekur në lidhje me sulmet dhe më shumë se 700 të tjerë janë në procese gjyqësore për rolet në trazira, ndërkaq 450 të tjerë janë dënuar me burgim.
Prokurorët federalë në Washington e kanë akuzuar Trumpin në lidhje me trazirat, duke përmendur promovimin e teorive të rrejshme në lidhje me mashtrimet në zgjedhje dhe përpjekjet e tij për të zhbërë rezultatet. Trumpi është deklaruar i pafajshëm dhe ka vazhduar të gënjejë për zgjedhjet e vitit 2020
Trumpi është në epërsi të madhe në garën brendapartiake dhe rivalët e tij nuk e kanë kritikuar në lidhje më 6 janarin 2021. Ai e ka quajtur atë “ditë të bukur” dhe të burgosurit për trazirat i ka quajtur si “patriotë shumë, shumë të mëdhenj” dhe “pengje”.
Ekspertja e republikanëve, Alice Stewart, ka thënë se “shumë votues republikanë nuk e duan 6 janarin, por nuk e shohin për të madhe” dhe shumë e përkrahin Trumpin, sepse kundërshtojnë politikat ekonomike të Bidenit.
“Votuesit republikanë mund të kenë dy qëndrime dhe të thonë: ‘6 janari nuk ishte i mirë, por nuk ka ndikuar në qëndrimet tona’”, ka thënë ajo.
Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, njëri prej rivalëve të Trumpit për nominimin republikan, trazirat e 6 janarit i ka quajtur “protestë” që “përfundoi” dhe së fundmi ka thënë se Trumpi “është dashur të dalë më i fuqishëm” kundër kryengritësve. Kandidatja tjetër, ish-ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, vazhdimisht u ka thënë përkrahësve se trazirat e 6 janarit “nuk ishin ditë e bukur, por e tmerrshme”.
Por pikëpamjet e përgjithshme për sulmin janë ashpërsuar në bazë të partive.
Rezultati i sondazheve
Në ditët pas trazirave, 52 për qind e amerikanëve ishin të mendimit se Trumpi bart përgjegjësi të madhe për 6 janarin. Në fillim të vitit 2022, kjo përqindje kishte rënë në 42 për qind. Numri i amerikanëve që kanë thënë se Trumpi nuk ka fare përgjegjësi gjithashtu është rritur në 32 për qind në vitin 2022 krahasuar me 24 për qind në vitin 2021.
Në sondazhin e “Washington Postit” me Universitetin e Marylandit, të publikuar gjatë kësaj jave, thuhej se 7 nga 10 republikanë kanë thënë se është bërë e madhe në lidhje me sulmin. Vetëm 18 për qind e përkrahësve të republikanëve kanë thënë se protestuesit që hynë në Capitol ishin “shumica të dhunshëm. Kjo është më pak se 26 për qind në vitin 2021, ndërkaq 77 për qind e republikanëve dhe 54 për qind e të pavarurve kanë thënë se protestuesit ishin shumica të dhunshëm. Ky qëndrim nuk ka ndryshuar nga viti 2021.
Në sondazhin e dhjetorit nga “Associated Press” dhe “NORC Center for Public Affairs Research” thuhej se 87 për qind e demokratëve dhe 54 për qind e të pavarurve besojnë se mandati i dytë i Trumpit do të ndikonte negativisht në demokracinë amerikane. Rreth 82 për qind e republikanëve besojnë se demokracia do të dobësohet nga fitorja e mundshme e Bidenit.
Reklama e Bidenit
Ekipi i fushatës së Bidenit ka konfirmuar planet për reklama që do të kenë për temë trazirat në Capitol. Në këtë reklamë Bideni dëgjohet duke thënë “Po ndodh diçka e rrezikshme në Amerikë”.
“Ka lëvizje ekstremiste që nuk ndanë besimet bazë të demokracisë sonë. Të gjithë ne po pyesim tani se çfarë do të bëjmë për të mbajtur demokracinë tonë”, dëgjohet Bideni në këtë reklamë fushate.
Ekipi i tij ka shpenzuar 500 mijë dollarë për reklamën prej 1 minute që do të transmetohet në televizionet kombëtare në shtetet, si Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Karolinë Veriore, Pennsylvania dhe Wisconsin.
Ai shënoi përvjetorin e parë të trazirave në 2022 duke qëndruar brenda Sallës Kombëtare të Statujave të Capitolit – e cila u pushtua nga përkrahësit e Trumpit – për të treguar se paraardhësi i tij dhe mbështetësit kishin vendosur “kamën në fytin e Amerikës”.
Përpara zgjedhjeve afatmesme të vitit 2022, presidenti e ka cilësuar vazhdimisht Trumpin si kërcënim të demokracisë. Kjo përfshiu edhe fjalimin e tij në Philadelphia në të cilin kishte thënë se “ideologjia ekstreme” e Trumpit dhe përkrahësve të tij “kërcënon vetë themelin e republikës sonë”.
Në përvjetorin e dytë të trazirave në vitin 2023, Biden u dha medalje presidenciale 14 personave për punën e tyre në mbrojtjen e Capitolit gjatë trazirave dhe kritikoi “turmën e kryengritësve të dhunshëm”. Ai së fundmi ka thënë se Trumpi i mbështeste trazirat.
“As gjatë Luftës Civile kryengritësit nuk e shkelën Capitolin tonë”, ka thënë Julie Chavez Rodriguez, menaxhere e fushatës së Bidenit, në një telefonatë me gazetarët këtë javë. “Por, me nxitjen e Donald Trumpit, kryengritësit më 6 janar 2021 e bënë këtë”.