Profesori serb i Fakultetit të Arteve Dramatike, Ivan Medenica, në lidhje me iniciativën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë për rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri për katër muaj, vlerëson se është një marketing i pastër, sepse është e nevojshme që vazhdimisht të krijohet gjendje e jashtëzakonshme, aq më tepër që, siç beson ai, muajt e ardhshëm do të jenë kyç për Serbinë, kur bëhet fjalë për vendime të rëndësishme politike.
“Kemi vite që jetojmë në një gjendje imagjinare të jashtëzakonshme, është pjesë e asaj strategjie të krijimit të tensionit, frikës së rreme se jemi të kërcënuar nga ndonjë rrezik ushtarak, që gjeostrategjikisht nuk ka asnjë bazë që të ndodhë. Është pjesë e marketingut të mbajtjes së tensionit të vazhdueshëm në shoqëri, që të mos u kushtoni rëndësi problemeve reale, por vazhdimisht t’ju serviren disa probleme që nuk janë reale”, thotë Medenica në N1,
Ai shton se historia e kthimit të detyrimit ushtarak shfaqet në momentin kur janë shkrepur metodat e tjera të marketingut dhe spina të tjera dhe në momentin kur duhet trembur qytetarët.
I pyetur se në çfarë momenti jemi tani, ai shprehet se ka shumë kohë që ka pasur përshtypjen se viti i ri nuk kishte ndodhur.
“Tani jemi vetëm në një periudhë qetësie para ngjarjeve kyçe dhe vendimeve kyçe politike. Kam ndjenjën se muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë dhe se do të duhet të merren shumë vendime politike”, vlerëson ai.
Në këtë kontekst, ai iu referua çështjes së targave të Kosovës, gjegjësisht vendimit që nga 1 janari veturat me targa të Kosovës të lëvizin lirshëm në Serbi, duke thënë se nuk ka asgjë kundër faktit që me targa të Kosovës mund të hyni në Serbi dhe anasjelltas, sepse, sipas tij, “Kosova fakto do të jetë shtet i pavarur”.
“Mendoj se po punohet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, makineria mediatike e regjimit po mundohet ta maskojë me aq sa mundet, por nuk mendoj se do të mund ta maskojë në planin afatgjatë. Argumenti kryesor i (presidentit serb Aleksandar) Vuçiq është se ai nuk do të nënshkruajë asgjë. Me sa kam ndjekur disa analistë, kjo nuk është ajo që i kërkohet Serbisë, por kërkohet zbatimi hap pas hapi i Marrëveshjes së Ohrit dhe kjo është ajo që po ndodh. Siç ka thënë (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti – Serbia e ka njohur Kosovën de facto dhe tani ai po kërkon ta njohë edhe de jure. Nuk mendoj se tani për tani kemi atë lloj presioni për ta pranuar menjëherë, por de facto po e pranojmë hap pas hapi. Më pas, kur nuk do të jetë më e mundur të mbulohet me spine mediatike, mund të jetë e nevojshme të krijohet sërish një situatë emergjente, nëse përsëri përballemi me një konflikt të ri ushtarak dhe në këtë kontekst, edhe kthimin e rekrutimit ushtarak”, vuri në dukje Medenica.
Ai shton se problemi i dytë i madh që duhet të maskohet me futjen e shërbimit ushtarak është kriza paszgjedhore.
“Regjimi nuk ka marrë urime nga faktorë të rëndësishëm nga perëndimi, por ata ende nuk kanë reaguar për të kërkuar rishikimin e rregullsisë së zgjedhjeve”, thotë profesori serb i Fakultetit të Arteve Dramatike, Ivan Medenica.