Sezoni i ri parlamentar, vjen me ndryshime për grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Këtë 6 Janar, ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj i është djegur mandati i deputetit. Kjo për shkak se ai mbushi 6 muaj mungesë në aktivitetin e parlamentit.
Neni 71 i Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron kur ligjvënësi mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend. Arben Ahmetaj nuk është paraqitur në Kuvend që prej datës 6 Korrik, ku mori pjesë për herë të fundit në seancë plenare.
Në momentin që mbi të u ngritën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me dosjen e inceneratorëve, Arben Ahmetaj nuk hoqi dorë vullnetarisht nga mandati i deputetit edhe pse Kuvendi e zhveshi nga imunteti.
Tashmë pritet të nisin procedurat se kush do pritet të zëvendësojë Arben Ahmetajn në Kuvend. Sipas përllogaritjes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, në listën kandidatëve të Tiranës pas Arben Ahmetajt renditet Dallëndyshe Bici, e cila fitoi 4977 vota preferenciale.
Burime të Tv Klan konfirmuan se Bici që aktualisht mban detyrën e drejtoreshës së IKMT-së nuk do të pranojë mandatit e deputetit të Ahmetajt. Në këtë situatë pritet që mandati t’i kalojë juristit Plarent Ndreca, i cili në zgjedhjet e 2021, siguroi 4008 vota.