Zhurma e figurave të shahut dhe dominove, e shoqëruar herë pas here me të qeshura e tifozeri, kishte kapluar një paradite të fund-dhjetorit të vitit 2023 Qendrën e Pensionistëve në Prishtinë.
Me një sallë të madhe, mbushur me tavolina, restoranti i kësaj qendre është vendtakim i përditshëm i shumë burrave dhe më pak grave që kanë përfunduar karrierën në punë.
Disa luajnë, të tjerë lexojnë libër, ose shijojnë kafenë dhe muhabetet e njëri-tjetrit.
Por, kur i pyet se si ia dalin me pensionet që marrin, të gjithë kanë një përgjigje: mezi
Me 190 eurot që merr çdo muaj, Xhemail Bytyçi e konsideron vetën “barrë të fëmijëve” të tij.
“Të gjitha shpenzimet m’i heqin djemtë”, thotë 85-vjeçari, duke treguar se me dekada ka punuar në arsim dhe administratë.
Qe njëzet vjet në pension, ai vjen nga një fshat i Lipjanit, rreth dhjetë kilometra larg Prishtinës.
Pensioni thotë se i mjafton vetëm për barna. Aty-këtu edhe për të paguar çajin apo kafenë kur takon miqtë e tij.
“Është vështirë të jesh barrë e fëmijëve. Vetëm ai që është, e beson”, thotë Bytyçi dhe ul sytë teposhtë.
Afër tij qëndron ulur edhe Ramadan Bytyçi, me të njëjtën ndjesi.
“Jam bërë si parazit, pres nga djali edhe ushqimin, edhe veshmbathjen”, thotë ai.
Ky 69-vjeçar merr vetëm 100 euro në muaj – pension që i takon secilit qytetar të Kosovës pas moshës 65-vjeçare.
Edhe pse ka pasur mbi 40 vjet përvojë pune si financiar në Minierën e Magnezitit në Lipjan e më pas në Ministrinë e Drejtësisë, ai nuk e ka plotësuar kushtin për pension kontributpagues: i kanë munguar vetëm dy muaj për të arritur përvojën prej 15 vjetësh punë përpara luftës së vitit 1999.
“Po e marr një mesatare: energjia elektrike nën 35 euro nuk më vjen, ngrohja 40 euro – shkojnë 70 euro. Pastaj, mbeturinat, uji, ashensori… Ja ku më shkon pensioni. Djali m’i blen barnat dhe ushqimet. Unë i paguaj faturat, mundohem të jem i dobishëm”, thotë Ramadan Bytyqi paksa i revoltuar.
Në Qendrën e Pensionistëve, ditën që e vizitoi ekipi i Radios Evropa e Lirë, ishte edhe Hasan Berisha.
Me 42 vjet përvojë pune në financa të ndërmarrjeve të ndryshme publike në Kosovë, ai merr 265 euro pension.
Rritja e inflacionit, viteve të fundit, thotë se e ka zhvlerësuar edhe këtë shumë.
“… por, duhet t’i falënderohemi solidaritetit familjar, fëmijëve… dhe kështu po e tejkalojmë situatën. Përndryshe, gjendja është jo e lakmueshme”, thotë 85-vjeçari.
Pensioni i pleqërisë në Kosovë është 100 euro, ndërsa ai kontributpagues sillet nga 190 deri në 265 euro, varësisht nivelit të arsimimit.
Në Ligjin për skemat pensionale, të financuara nga shteti, thuhet se lartësia e shumës së pensioneve duhet të ndryshojë varësisht lartësisë së inflacionit.
Por, hera e fundit kur janë rritur pensionet në Kosovë ka qenë në vitin 2019. Deri atëherë, pensionet e pleqërisë kanë qenë 75 euro, ndërsa më i larti kontributpagues 230 euro.
Inflacioni, ndërkohë, ka shkuar duke u rritur sidomos në vitin 2022, kur mesatarja ka arritur në gati 12 për qind.
“Ne kemi bërë kërkesa të shumta në Qeverinë e Kosovës për t’u takuar dhe për të kërkuar rritjen e pensioneve. Vetëm ta zbatojë [Qeveria] Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti”, thotë Sherif Kastrati, sekretar në Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se cilat janë mundësitë buxhetore për rritje të pensioneve.
Në dhjetor, Qeveria ndau shtesa të njëhershme prej 100 eurosh për të gjithë pensionmarrësit.
Edhe në të kaluarën janë ndarë disa herë shtesa të ngjashme.
Për Qendrën e Pensionistëve në Prishtinë, që tubon pensionistë prej gjithë Kosovës, kujdeset Mybera Kasumi si kryetare e Organizatës së Pensionistëve.
“Pensionistët janë shumë të kënaqur në qendër, kemi investuar në renovim, janë ndërruar dritaret, perdet, tavolinat e shahut e të dominove”, thotë ajo.
Kasumi tregon se i bie shpesh të trokasë në dyer të ndryshme të Komunës së Prishtinës dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për të mbledhur sa më shumë fonde e përkrahje për pensionistët.
“Sivjet kemi ndarë tri herë pako ushqimore për pensionistët në gjendje të rëndë ekonomike dhe kemi organizuar dy shëtitje falas nëpër qytete të ndryshme të Kosovës. Unë nuk mund t’i rris pensionet, por mundohem t’i rregulloj kushtet brenda qendrës që ata vetë e quajnë shtëpi të dytë”, thotë Kasumi.
Në Kosovën me 1.7 milion banorë aktualisht jetojnë rreth 200.000 pensionistë. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave për muajin tetor të vitit 2023, tregojnë se mbi 150.000 prej tyre marrin pensione të moshës dhe mbi 49.000 janë pensionistë kontributpagues.
Në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës janë disa qendra pensionistësh, ku kafeja dhe çaji kushtojnë nga 60 centë, për dallim prej kafeneve të tjera ku çmimi i tyre është edhe mbi një euro.
“Kur sheh pensionistë dhe fëmijë të hareshëm, Qeveria dhe pushteti i kanë punët mirë. A ke parë ndonjëherë pensionist të buzëqeshur?”, pyet Xhemail Bytyqi dhe vazhdon kafenë