Komisioni Evropian: Spanja njohu pasaportën, s’ka kushte shtesë për udhëtim

by Merita

Nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës filluan të lëvizin lirshëm në vendet e zonës Schengen pasi institucionet e BE-së morën vendimin që edhe Kosovës t’ia heqin regjimin e vizave. Në prill të vitit të kaluar KE tha se Spanja do të jetë përjashtim, pra kosovarët s’do të mund të udhëtonin në Spanjë. Arsyeja ishte mosnjohja e pasaportave të Kosovës dhe mosnjohja e shtetit.

Por, vetëm pesë ditë më vonë se hyrja në fuqi e vendimit u njoftua se edhe Spanja do t’i njohë pasaportat kosovare dhe rrjedhimisht u mundësua edhe udhëtimi drejt këtij vendi.

banner

Por, a ka kushte shtesë që kosovarët do të duhet të zbatojnë nëse e mësyjnë Spanjën?

Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja e Komisionit Europian për çështjet e brendshme, Anitta Hiper, duke konfirmuar vendimin tha se qytetarët e Kosovës do të hyjnë edhe në Spanjë njëjtë sikur në çdo shtet tjetër të Schengenit.

“Konfirmohet vendimi i Spanjës. Asnjë kusht i mëtejshëm nuk duhet për këtë”, tha shkurtimisht ajo.

Ministria e Jashtme e Spanjës tha të hënën se qytetarët kosovarë do të hasnin në telashe ta vizitonin ligjërisht atë dhe vendet e tjera të zonës Schengen që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, sikur ato të mos pajtoheshin për ta njohur pasaportën e zakonshme kosovare.

“Të gjitha shtetet e [Zonës] Schengen që nuk e njohin [Kosovën] e kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton, njohje të Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë Elena Aljarilla Cortezon, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme spanjolle.

Cortezon theksoi se Spanja e mbështet dhe do të vazhdojë ta mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë, “si një mënyrë e zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe kërkon ta kufizojë ndikimin e saj tek qytetarët”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ishte i pari që njoftoi vendimin e ri të Spanjës.

“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti. Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë. Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy