Pas turneut në fqinjët arabë të Izraelit, në takimet me liderët, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu të martën, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka diskutuar “rrugën përpara” në luftën izraelite në Gaza.
Duke folur së bashku me presidentin izraelit Isaac Herzog përpara takimit të tyre të martën në mëngjes, Blinken tha se do të ndajë me të atë që kishte dëgjuar nga vendet e rajonit.
“Ka shumë për të folur, veçanërisht për rrugën përpara,” tha Blinken, i cili paraprakisht ka vizituar Jordaninë, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, si dhe Turqinë dhe Greqinë, që nga e shtuna.
Përveç përpjekjeve për të ulur tensionet rajonale, kryediplomati amerikan ka diskutuar planet për qeverisjen e ardhshme të Gazës, e cila mund të përfshijë fqinjët e Izraelit me shumicë myslimane.
Blinken kishte thënë të hënën përpara se të shkonte në Izrael se shtetet rajonale dëshironin integrimin me Izraelin, por vetëm nëse planet për normalizimin e marrëdhënieve përfshinin një “rrugë praktike” për një shtet të ardhshëm palestinez.
Ai i tha homologut të tij izraelit, Israel Katz, të martën se kishte mundësi për integrim dhe lidhje rajonale “por ne duhet ta kalojmë këtë moment shumë sfidues”.
Blinken do të takohet gjithashtu me familjet e pengjeve të marra nga Hamasi dhe do të diskutojë “përpjekjet e pandërprera” për t’i rikthyer ata, tha ai.
Disa dhjetëra protestues u mblodhën jashtë hotelit ku Blinken po zhvillonte takime dhe bënë thirrje për një armëpushim për të siguruar lirimin e pengjeve.
Izraeli thotë se, nga rreth 240 persona të kapur më 7 tetor, 132 mbahen ende në Gaza dhe 25 prej tyre kanë vdekur në robëri.
Herzog falënderoi Uashingtonin për mbështetjen e tij ndaj Izraelit dhe denoncoi veprimin e Afrikës së Jugut e cila e ka akuzuar Izraelin për Gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Sh.B.A e ka quajtur çështjen jo të dobishme dhe ka thënë se nuk ka parë akte të gjenocidit në Gaza./Reuters