12 zyrtarë të ATK’së dhe një biznesmen janë arrestuar dje gjatë një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës.
Tashmë ndaj tyre, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.
“Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 13 personave të ndaluar, në gjykatën kompetente”, tha Ulaj .
Prokuroria njofton se “Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”
Andaj, B.B., F.P. dhe B.B., pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milion euro, thekson prokuroria.