Ushtria izraelite tha të mërkurën se ka gjetur evidencë se pengjet kanë qenë të pranishëm në një tunel të nëndheshëm në Rripin e Gazës, në qytetin Khan Younis, që është bërë tashmë epiqendra e ofensivës tokësore izraelite.
Ushtria ia tregoi tunelin gazetarëve, që u shoqëruan përmes rrugëve të lagjeve me shtëpi të rrënuara. Një kolibe e ndryshkur prej teneqeje mbulonte hyrjen e tunelit, në kopshtin e një banese.
Një shkallë e improvizuar të çonte drejt shtegut të nëndheshëm, rreth 2.5 metra nën tokë. Tuneli ishte i nxehtë dhe me lagështirë, me mure prej betoni nga ku vareshin tela elektrikë. Më në brendësi gjendej një banjo, ku ushtria tha se gjeti evidencë se aty janë mbajtur pengje, ndër të tjera edhe ADN-në e tyre.
“Pengjet mbaheshin këtu në këtë sistem tunelesh”, tha kundëradmirali Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.
Zoti Hagari nuk dha detaje se çfarë u gjet saktësisht në tunel dhe as nuk tha se kur ishin mbajtur pengjet aty dhe se cilat ishin emrat e tyre. Ai gjithashtu nuk tha nëse pengjet janë gjallë apo kanë vdekur.
Në një deklaratë të mëvonshme për shtypin, ai tha se pengjet ishin mbajtur në “kushte të vështira”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Disa nga pengjet e liruara gjatë armëpushimit në fund të nëntorit thanë se ishin mbajtur nëpër tunelet që Hamasi ka hapur në mbarë Rripin e Gazës dhe për të cilat Izraeli ka thënë se janë përdorur prej kohësh për kontrabandën e armëve dhe kalimin e luftëtarëve, duke shmangur kështu bllokadën e vendosur ndaj këtij territori.
Tuneli u gjet në një pjesë të qytetit që duket se ka përjetuar luftime të rënda. Banesa në afërsi ishte e dëmtuar rëndë.
Në një tjetër godinë ishin hedhur në erë muret e disa apartamenteve. E gjithë zona rrethohet nga pirgje të mëdha dheu, me sa duket të krijuara nga buldozerët izraelitë që kërkojnë për lëndë eksplozive të groposura. Një tank ishte parkuar përpara një shkolle të zbrazët, ku një flamur izraelit varej në muret e jashtme. Në ajër dëgjohej zhurma e një droni dhe në distancë dëgjohen luftimet me armë.
Ushtria izraelite thotë se Hamasi vepron nga brenda tuneleve dhe zyrtarët ushtarakë izraelitë e kanë bërë objektiv kryesor shkatërrimin e sistemit të tuneleve.
Gjeneral brigade Dan Goldfus, komandant i divizionit 98 të ushtrisë izraelite i përshkroi tunelet si të “një rreziku prej 720 gradësh”.
“Nuk është 360, por është 720, nëntokë dhe mbitokë”, tha ai.
Izraeli mendon gjithashtu se udhëheqësi i Hamasit, Yehya Sinwar, fshihet në një tunel në Khan Younis.
Qyteti i rrethuar është i dyti më i madh në Gazë dhe është bërë epiqendra e luftimeve të javëve të fundit. Gjatë turit të ofruar për gazetarët të mërkurën nuk u dallua ndonjë banor në këtë zonë. Izraeli i ka urdhëruar banorët të evakuohen nga pjesë të qytetit, ndërsa vazhdon me ofensivën.
Gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit, militantë të Hamasit dhe të organizatave të tjera, vranë 1200 persona dhe morën peng rreth 250 të tjerë, sipas të dhënave të autoriteteve izraelite.
Ky sulm shkaktoi luftën. Mbi 23 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë janë vrarë, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e qeverisur nga Hamasi. Mbi 85% e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur dhe pjesë të gjera të territorit janë rrënuar.
Rreth 110 pengje janë liruar. Gati 110 persona të tjerë vazhdojnë të mbahen peng, së bashku me kufomat e 20 personave të vrarë gjatë mbajtjes në robëri, sipas të dhënave të Izraelit. Disa trupa të tjerë të pengjeve të vrarë janë marrë tashmë nga forcat izraelite. Tre pengje janë vrarë gabimisht nga ushtria izraelite.
Vuajtjet e pengjeve kanë mbërthyer vëmendjen e izraelitëve, që i shohin ata si një simbol i vazhdueshëm i dështimit të shtetit izraelit për të mbrojtur shtetasit e tij më 7 tetor.
Izraeli e ka bërë lirimin e pengjeve pjesë të objektivave luftarake, së bashku me shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit.