Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka thënë se ekziston një dakordancë ndërmjet partisë Guxo dhe Lëvizjes Vetëvendosje për partneritet qeverisës.
Si mysafir në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka theksuar se roli i partisë Guxo është krucial për Lëvizjen Vetëvendosje në mënyrë që t’i bëjë numrat për ta formuar qeverinë.
“Dihet se ku qëndrojmë ne. Ne qëndrojmë në partneritet me Lëvizjen Vetëvendosje, por jo me çdo kusht”, është shprehur Peci.
“Kanë filluar diskutimet, në fazën fillestare janë. Ka në parim një dakordancë për të vazhduar partneritetin, por unë mendoj se LVV vazhdon ta mbajë këtë pjesën e madhe të përkrahjes së qytetarëve, por për të mundur që ta ketë një mandat ku nuk i nevojitet një partner tjetër i qeverisë, për të mundur t’i bëjë numrat e ardhshëm në zgjedhje, unë mendoj se roli i Guxos është krucial”, ka shtuar ai.
Sipas tij, nuk është se partia Guxo ka ndonjë kusht të caktuar në këtë fazë për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne së pari do të kemi propozime konkrete për programin e ardhshëm qeveritar të cilin duhet ta përpilojmë me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë ai më tej.