Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë me dije se mbi 2 mijë persona kanë përfituar subvencion gjatë vitit të kaluar për trajtimin e sëmundjeve të rënda, raporton Informim.net.
Sipas Ramës, krahasuar me vitin 2022, ka një rritje prej 20 përqind. Ai ka thënë se sot ka mbingarkesë nga kërkesat për subvencionim.
“Sot punëtorët e zellshëm të Sektorit të Shërbimit me Qytetarë, janë mbingarkuar nga kërkesat e qytetarëve për subvencionimin nga Drejtoria e Shëndetësisë për sëmundjet malinje dhe kronike të rënda. Në lidhje me këtë, ju njoftoj se kërkesat e juaja pranohen GJATË GJITHË VITIT dhe ato do t’i shqyrtojë komisioni profesional.
Ne jemi të vetëdijshëm se jetesa me një sëmundje kronike sjell sfida të mëdha, jo vetëm shëndetësore, por edhe financiare. Qëllimi ynë është të sigurojmë që të mos ndiheni të vetmuar në këtë luftë dhe të ofrojmë një dorë ndihme aty ku është më e nevojshme”, ka shkruar Rama