Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit edhe për dy muaj gjashtë të dyshuarve nën dyshimin e falsifikimit të monedhës 2 euro.
Avokati Berat Tmava, i cili mbron njërin prej të dyshuarve, ka konfirmuar lajmin për “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria ka theksuar se të pandehurit B.A, Sh.A, A.A, S.R, M.K. dhe H.D, dyshohet se kanë vepruar për përfitim të paligjshëm, duke siguruar para të gatshme të falsifikuara dhe të prodhuara në Maqedoninë e Veriut.
Sipas aktakuzës, ata kanë prodhuar 42,505 copë monedhave metalike me prerje 2-euro, me një vlerë totale prej 85 mijë euro.
Gjashtë të dyshuarit u sollën para gjykatës më 30 nëntor dhe u arrestuan për prodhimin dhe vënien në qarkullim të monedhave të falsifikuara.
Operacioni i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kishte çuar në arrestimin e tyre në flagrancë më 29 nëntor 2023.
Në këtë aksion, janë sekuestruar thasë me para në vlerë mbi 85 mijë euro.