Liverpool ka kontaktuar me klubin argjentinas Talleres, rreth mundësisë për të nënshkruar me talentin kolumbian Kevin Mantilla, ka konfirmuar presidenti i klubit.
“Të Kuqtë” ende nuk kanë bërë ndonjë transferim në këtë afat kalimtar, ani pse përforcimet në fazën e mbrojtjes janë në agjendën e klubit tash e një kohë për shkak të lëndimeve të shumta
Deri më tani biznesi që ka bërë klubi ishte kryesisht me largime të lojtarëve si Fabio Carvalho, Paul Glatzel dhe Luke Chambers, që u larguan në formë huazimi nga “Anfield”.
Në një intervistë për La Voz, presidenti i Talleres, Andress Fassi, ka thënë se ka pasur diskutime me Liverpoolin për lojtarin para se të hapej afati i janarit.
“Është e vërtetë, ata e kanë ndjekur atë për katër muaj tani dhe na kanë pyetur neve për informacione rreth gjendjes fizike të tij”, ka thënë Fassi.
Mantilla, një qendërmbrojtës shtatgjatë, është bërë pjesë e Talleres verën e kaluar teksa kontrata e tij skadon në dhjetor të vitit 2027.
Ai ka bërë 43 paraqitje sezonin e kaluar për ekipin argjentinas duke shënuar një gol dhe vlera e tij në treg momentalisht sillet rreth 2.5 milionë euro
Për të siguruar shërbimet e Mantillas, Liverpooli do të konkurrojë me Brightonin të cilët gjithashtu kanë shprehur interesim për të