Në Prishtinë ka nisur protesta kundër mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush” nga Komuna e Prishtinës.
Në protestën e cila ka nisur rreth orës 12:00, janë duke marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve
Qytetari Halit Hoti gjatë protestës tha se lagjja “Xhorxh Bushi” është e mbushur me mbeturina dhe nuk është dashtë që të bllokohet.
“Nuk duhet bllokuar rruga dhe qytetarët. Qytetarët duhet konsultuar për ndryshimin. Kryetari i Komunës po na ngjan vetëm si kryetar i kësaj lagje. Kjo rrugë duhet të hapet”, tha ai para mediave.
Ndërkaq, qytetarja Ramize Curri tha se “Kryeqyteti nuk është vetëm i Përparim Ramës, por i të gjithë qytetarëve, sepse ne paguajmë taksa”.

Protesta është organizuar nga “Vrojtuesit e Lagjes – Prishtinë”
“Ne organizojmë një protestë thelbësore për hapjen e rrugës Xhorxh Bush, një rrugë e cila mund të hapet lehtësisht duke i larguar betonat që e mbyllin. Thirrja është e hapur për çdo individ të lodhur nga këto praktika të kryetarit të komunës tonë. Përparim Rama premtoi se rruga do të mbyllej vetëm për një test 1-javorë, pastaj tha se do të ishte e mbyllur vetëm për trafikun urban, duke lejuar kalimin e autobusëve dhe taxit”, thuhej në njoftimin e tyre.


