Një ditë pas zjarrit në spitalin rajonal në Shkodër, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu e ka vizituar nga afër situatën, duke theksuar se ndërsa po hetohen shkaqet, situata është kthyer në normalitet
“Në Spitalin Rajonal të Shkodrës bashkë me Kryetarin e Bashkisë Benet Beci pamë nga afër ambientin ku mbrëme u përfshi nga zjarri një nga dhomat e mjekëve në pavionin e kirurgjisë, i cili u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet po hetohen. Tashmë çdo gjë është kthyer në normalitet dhe pacientët e qytetarët marrin të gjitha shërbimet e nevojshme. Faleminderit personelit mjekësor dhe forcave zjarrëfikëse për reagimin në kohë që kjo situatë të kalonte pa probleme për pacientet e stafin mjekësor”, shkruan ministrja
Drejtori i Spitalit Senad Halluni, deklaroi se situatë është totalisht nën kontroll dhe pritet që brëda dy ditësh I gjithë reparti të jetë në kushte optimale, ndërkohë edhe pacientët kanë treguar se shërbimi ka qënë në kohë rekord.
Një natë më parë reparti i kirurgjisë u perfshi nga flakët, ndërkohë që ekspertiza ende nuk ka dalë në një raport përfundimtar por dyshohet se zjarri ka ardhur nga një karikues celulari duke bërë që zjarri të përhapet në të gjithë dhomën e mjekut roje i cili në momentin e zjarrit ka qënë në operacion.
Drejtoria e Spitalit të Shkodrës ka marrë masat për evakuimin e shpejtë të pacientëve dhe falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve është bërë I mundur edhe izolimi i zjarrit. Një natë më parë kryetari i bashkisë Shkodër falenderoi të gjithë trupën e zjarrfikësve për ndërhyrjen e shpejtë dhe efikasa për izolimin e zjarrit.