Pese emigrantë të cilët po përpiqeshin të kalonin kanalin e La Manche humbën jetën në ujërat franceze këtë të diel. Lajmi u bë i ditur për BBC nga zyrtarë të marinës franceze.
Rreth 70 persona po përpiqeshin të hipnin në një varkë e cila do të nisej nga një plazh, kur u përmbys në orët e para të së dielës. Me dhjetëra u nxorën nga uji gjatë operacionit që u zhvillua gjatë natës në Wimereux, në jug të Calais.
Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron shprehu keqardhjen e tij për ngjarjen e rëndë. Ndërkohë, zyrtarët lokalë, sipas BBC, thanë se viktimat ishin nga Iraku dhe Siria.
Emigrantët raportohet se u gjenden në vështirësi menjëherë pasi varka ishte nisur nga brigjet e Francës drejt Anglisë rreth orës 02:00 të natës.
Me dhjetëra po tentonin që të hipnin në varkë ndërkohë që u largua nga plazhi, dhe e gjetën veten në vështirësi në det.
Shumë prej tyre u dërguan në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa operacionet e kërkim shpëtimit vijuan deri në orën 05:00.
Ngjarja vjen një ditë pasi u regjistrua varka e parë e vogël që kaloi Kanalin Anglez.
Ajo vjen pas një periudhe gati 4 javore ku nuk ishte regjistruar asnjë kalim i paligjshëm i emigrantëve drejt Mbretërisë së Bashkuar. Kjo sipas autoriteteve, për shkak të motit të keq.
Viti i shkuar shënoi numrin më të lartë të personave që kaluan ilegalisht nga Franca drejt Britanisë./tvklan