Roma u mund nga Milani duke dështuar përsëri përballë një kundërshtari të madh në kampionat dhe tashmë drejt verdhekuqve kanë vërshuar kritikat e panumërta edhe në drejtim të Zhoze Murinjos. Trajneri portugez është vënë në diskutim dhe largimi i tij në këto momente nuk është për t’u përjashtuar.
Mediat kryesore italiane si ”Gazzetta Dello Sport” dhe “Corriere Dello Sport”. raportojnë se drejtuesit e Romës do të marrin një vendim për trajnerin, duke vlerësuar atë që po bën ai dhe nëse është një problem i tij apo i skuadrës që nuk arrin të bëjë më shumë për të hedhur hapin cilësor.
Gazeta “La Repubblica” ndërkohë ka mësuar nga burime pranë klubit se sot do të ketë një video-telefonatë mes presidenti Dan Fridkin i cili është në SHBA dhe drejtuesve që ka në Itali, më saktësisht të birit Rajan dhe shefes ekzekutive të verdhekuqve, Lina Suluku. Një samit i vërtetë për të vënë pikat mbi “i” për situatën e krijuar dhe sidomos për të ardhmen e teknikut.
Ky i fundit mund të shkarkohet, por edhe mund të bëhet një lëvizje surprizë për t’i ofruar një rinovim të cilin deri tani klubi nuk ia kishte vënë përpara në tavolinë. Në një mënyrë apo një tjetër, sot në klubin verdhekuq do të vendoset përfundimisht e ardhmja e Murinjos dhe do të vazhdohet ky sezon me atë ide në mendje, pa kthim mbrapa.