Avokati i Popullit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën. Për këtë ligj, Presidentja Vjosa Osmani kishte pasur një diskutim të tensionuar me Kryeministrin Albin Kurti,
Dispozita e kontestuar ka të bëjë me kuotën gjinore. Sipas Avokatit të Popullit, përcaktimi i kuotës “së paku 30%” për secilën gjini e përligj trajtimin e pabarabartë të grave.
“Dispozita e kontestuar ( neni 28 Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës) ka lënë përkufizimin e njëjtë nga ligji i kaluar, ashtu që ka përcaktuar se “Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë.”, thuhet në njoftim.
Avokati i Popullit ka kërkuar nga Kushtetuesja të vlerësojnë “Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës; – Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; dhe – Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 45, paragrafi 1 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës.
“Kërkesa është parashtruar pasi që Avokati i Popullit është i bindur se përcaktimi i kuotës “së paku 30%” për secilën gjini e përligj trajtimin e pabarabartë të grave. Një rregullim i tillë ligjor ka dëshmuar në praktikë se gratë në vazhdimësi mbeten të nën-përfaqësuara në listat zgjedhore, duke u përmbushur vetëm minimumi i përcaktuar me ligj, e që ky minimum nuk pasqyron barazi për grate”, thuhet në njoftim
Qelaj kishte paralajmëruar se Ligjin do ta dërgonte në Kushtetuese, në takimin e tretë të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut. Pas fjalëve të Qelajt, Presidentja Vjosa Osmani kishte pasur një diskutim të tensionuar me Kryeministrin Albin Kurti.
Fjalët e Qelajt nuk i pëlqyen kryeministrit Albin Kurti, i cili deklaroi se 10 ligje të Kuvendit që përmbajnë reforma të rëndësishme për shtetin, për drejtësi dhe punësim, kanë mbetur duke u vlerësuar në Gjykatën Kushtetuese, janë rrëzuar ose “deformuar”, siç tha ai, nga kjo gjykatë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu shkroi në Facebook se Kurti dhe Osmani po diskutonin rreth paralajmërimit të Avokatit të Popullit se ligjin për zgjedhje mund ta dërgojnë për shqyrtim në Kushtetuese.
“Kur pas Kryeministrit e mori fjalën Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për Zgjedhje, që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023. Në atë xhirim shihet Kryeministri Kurti duke i folur Presidentes Osmani për Avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij”, shkroi Kryeziu, pa dhënë hollësi për diskutimin mes Kurtit dhe Osmanit.
Presidentja Vjosa Osmani atë ditë i propozoi Avokatit të Popullit që të merret vesh me partitë politike për ta bërë një amandament “që e trajton këtë mospërputhshmëri me ligjin për bararazinë gjinore”, në ligjin për zgjedhjet dhe që ta procedojnë tutje duke e shmangur një pritje për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kështu, ajo tha se “do të zgjidhej ky problem shumë më mirë”.
“Faleminderit zoti avokat. Ndoshta një përpjekje të fundit para se ju ta dërgoni ligjin në Gjykatën Kushtetuese, në qoftë se partitë politike pajtohen ne mund ta bëjmë një amandament në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ta procedojmë sa më parë që të jetë e mundur në mënyrë që të trajtohet çështja që e adresova edhe, unë edhe ju. Nuk e di sa ka mbetur kohë. Ndoshta edhe një muaj ose dy, përafërsisht, kështu që, në qoftë se edhe mazhoranca, edhe partitë opozitare do të pajtoheshin, do të zgjidhej ky problem shumë më mirë, në mënyrë që pastaj mos të presim dhe ndoshta edhe një vit deri sa të trajtohet kërkesa juaj në Gjykatën Kushtetuese dhe të bllokohet një prej ligjeve që janë fundamentale në procesin tonë të reformave, dhe për mësysh ka qenë ndoshta prej ligjeve të pakëta që është votuar edhe nga shumica, edhe opozita. Pra, është një prej rasteve të rralla ku i gjithë Parlamenti pajtohet rreth një ligji dhe ky ka qenë një prej të tillëve”, deklaroi Osmani.
Pasi doli jashtë Osmani u pyet për diskutimin me Kurtin. Ajo tha se po flisnin për ligjin për zgjedhjet.
“Për ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe çështjen e përqindjes së grave në lista. Kështu që është përpjekje e vazhdueshme”, kishte thënë presidentja