Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, sot është pyetur për përfshirjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.
Osmani tha se kjo nuk është asgjë e re për shkak se përpjekje të tilla ka pasur edhe më herët dhe kjo nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në skenën politike
“Përpjekje për mbështetje të drejtpërdrejtë dhe pjesëmarrje ka pasur edhe më herët nga kandidati për president, i cili më pas ishte ministër i Qeverisë së Kosovës, përmes pjesëmarrjes së eksponentëve të lartë në tubimet parazgjedhore dhe mitingje dhe është treguar se skena politike e shqiptarëve në RMV është konsoliduar. Nuk pres, siç nuk pati ndikuar më herët të ndikojë në ndonjë mënyrë edhe tani”, tha Bujar Osmani, gjatë konferencës së përbashkët me ministrin për Punë të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani.
Ky i fundit shmangu që t’i përgjigjet kësaj pyetje dhe tha se Tirana zyrtare vazhdon që të ndjek situatën në RMV.