Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni është përfshirë në debatin që po bëhet se kush e porosit blerjen e raketave amerikane antitank “Javelin”.
Quni për “Tëvë1” ka thënë se për sistemin e raketave “Javelin” është folur në kohën e tij sa ka qenë ministër i Mbrojtjes.
Ai ka thënë se i ka mbështetur edhe kërkesat që janë bërë nga ish-ministrat e kaluar.
“Për sistemin ‘Javelin’ është folur në kohën time. Në kohën kur unë isha Ministër, janë specifikuar kërkesat e tjera. Por, edhe i kam mbështetur edhe kërkesat tjera që janë bërë shumë më herët nga ish-ministri Rrustem Berisha. Unë mendoj që të gjithë ministrat që kanë kaluar nëpër atë Ministri, kanë qenë në nivelin e detyrave, ju kanë përmbajtur planit të tranzicionit të FSK-së. Është një kontinitet i zhvillimeve, gjithnjë sipas raporteve që i kemi me shtetet partnere”, ka thënë Quni.
Kujtojmë se pushteti është mburrur me kërkesën për blerjen e raketave “Javelin”. Madje zyrtarë të lartë të partisë në pushtet kanë pretenduar se nuk kanë asnjë meritë ish-ministrat e qeveritë e kaluara për këto raketa.