Gjermania nuk do ta furnizojë Ukrainën me raketat e tipit “Taurus”. Për këtë votoi një shumicë e qartë në Bundestag. Megjithë votën mbetet pyetja, a mundet Ukraina të sulmojë Rusinë me armë gjermane?
Prej muajsh politikanë të ndryshëm të qeverisë së koalicionit trepartiak gjerman kërkojnë furnizimin e Ukrainës me raketat “Taurus”. Më aktivë janë përfaqësuesit e Të Gjelbërve dhe liberalëve. Megjithatë të mërkurën në mbrëmje (17.01) Bundestagu vendosi kundër kërkesës së parashtruar që qeveria gjermane “më në fund dhe pa vonesa të vërë në dispozicion raketat e tipit Taurus në sasi sa më të madhe të mundshme”për Ukrainën
Nga fillimi i luftës në Ukrainë, qytetet ukrainase bombardohen përditë me artileri, raketa dhe dronë. Ukraina kundërpërgjigjet duke goditur ovjektiva ushtarake në zonat e pushtuara nga Rusia, si në Krime. Por në fokus ka qenë edhe objektiva në Rusi, si për shembull në rajonin strategjik, Belgorod, 30 km nga kufiri ukrainas. Më 30 dhjetor sipas të dhënave ruse humbën jetën aty 25 vetë.
E mbështetur nga e drejta ndërkombëtare
Sipas Wolff Heintschel von Heinegg, profesor jurist në Universitetin Europian, Viadrina, sulmet e Ukrainësnë territorin rus janë të mbrojtura nga e drejta ndërkombëtare. Në konfliktet e armatosura ndërkombëtare “asnjë palë në fkonlfikt nuk është e detyruar të kufizojë veprimet armiqësore në territorin e saj”, bën të ditur Heintschel. “Përkundrazi është qëllim legjitim të dobësosh forcat e armatosura të kundërshtarit përfshirë sulmin ndaj objektivave të lejuara ushtarake.” Sipas ekspertit, kjo nuk e ndryshon gjendjen ligjore edhe kur vriten civilë. Edhe pse sulmet direkte kundër personave civilë apo objekteve civile mbeten të ndaluara, kjo nuk do të thotë, se ata nuk i vuajnë pasojat, shpjegon von Heinegg.
Frika e Olaf Scholz
Nuk dihet, nëse në sulmet kundër Rusisë, janë përdorur armë perëndimore. Por kjo mbetet një çështje vendimtare për mbështetësit perëndimorë të Ukrainës. Kancelari gjerman, Olaf Scholz nuk do t’i dërgojë avionët e tipit “Taurus” në Ukrainë, që kanë një rreze të gjatë veprimi. Pas kësaj fshihet frika, se me to mund të goditen objektiva në Rusi dhe si pasojë Gjermania tërhiqet në luftë.
Por për juristin Wolff Heintschel von Heinegg, edhe nëse armët gjermane vihen në përdorim, kjo nuk përbën problem për të drejtën ndërkombëtare. Në sulmin rus në shkurt 2002 “bëhet fjalë për një luftë agresore, kështu shtete të treta, si Republika Federale Gjermane (…) mund të mbështesin viktimën e agresionit, edhe përmes furnizimit me armë.” Sipas ekspertit këtu vënia në përdorim e armëve të dërguara nga Gjermania kundër objektivave në Federatën Ruse “nuk bën ndonjë dallim”.
Sara Nanni, zëdhënëse për Mbrojtjen tek grupi parlamentar i Të Gjelbërve në Bundestag shkon madje një hap më tej. Për DW ajo thotë, se Ukrainës i lejohet të sulmojë territorin rus, edhe me armë gjermane. Në lidhje me pasojat për Gjermaninë ajo thotë: “Unë sigurisht, kam frikë, se Rusia luftën e saj do ta zgjerojë kundër NATO-s, dhe me këtë edhe kundër Gjermanisë. Megjithatë kjo nuk varet nga ajo, se çfarë armësh dërgojmë apo nuk dërgojmë ne. Kjo varet nga ajo që vendos Putini.”
Edhe Roderich Kiesewetter, politikan për mbrojtjen tek CDU thotë se “sulmet e Ukrainës kundër objektivave ushtarakë në territorin rus jo vetëm që janë të lejueshme bazuar tek e drejta ndërkombëtare, por janë tërësisht të kuptueshme.” Nëse përdoren armë gjermane, nuk ka rëndësi, sipas tij, sepse në vend ato pastaj janë armë ukrainase.
Por gjenerali i Bundeswehrit në pension, Helmut Ganser paralajmëron nga iluzionet. Në një bisedë me “Zeit online” ai thotë se “pritshmëria që Ukraina të rivendosë plotësisht integritetin e saj territorial me mjete ushtarake, bazohet për momentin tek nevoja e jashtëzakonshme e kapaciteteve dhe gatishmëria në rënie në kryeqytetet europiane, tek një humbje e qartë e sensit të realitetit”. Ganser bën fjalë për rrezikun që NATO të tërhiqet në luftë, nëse ajo mban qëndrimin “paqe e bazuar në fitoren ukrainase”. Sipas Ganser “politika e përgjegjshme e sigurisë, që mënjanon dëmet për popullin gjerman nuk duhet ta ndjekë këtë.” Kancelari Scholz me vendimin e fundit të Bundestagut për Taurus duhet të ndjehet i konfirmuar./DW/