Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, ka bërë homazhe te varri i Blerina Jasharit në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz.
Aty ai ka lënë edhe një mesazh në të cilin thuhet “Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe. Dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën ‘Më fal’”
Fragmenti është shkruar në gjuhën shqipe, serbe dhe në gjuhën angleze
Në një prononcim para gazetarëve, Stojkoviq ka thënë se nesër do të shkojë ne Beograd dhe se nuk frikësohet sepse sipas tij, është obligim të bëjë atë që është e drejtë dhe e duhur.
“Nesër do të shkoj në Beograd dhe nuk kam arsye të frikësohem. Ne e kemi për obligim të bëjmë se çka është e drejtë dhe çka është e duhur”, ka shtuar ai.
Kjo vizitë e avokatit serb është paralajmëruar para disa ditësh dhe është kundërpërgjigje ndaj politikës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ndryshe, javë më parë, klienti i tij, opozitari serb, Nikola Sanduloviq, ishte arrestuar nga shërbimi sekret serb BIA, pasi kishte bërë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ai ishte torturuar fizikisht dhe psiqikisht nga shërbimi sekret serb.