Ministri i Administratës Publike në Malin e Zi, Marash Dukaj, ka thënë që qeveria aktuale e Milojko Spajiq ka paraparë për këtë vit 120 milionë euro për komunat shqiptare.
Dukaj, i ftuar në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, mes tjerash ka përmendur investimet dhe projektet që kanë munguar në zonat shqiptare.
“Për këtë vit përmes ministrisë që drejton zotëri Gjeloshaj, që është njëkohësisht edhe zëvendëskryeministër për zhvillimin ekonomik, janë paraparë në buxhetin e shtetit 120 milionë euro vetëm për komunat ku jetojnë shqiptarët. Për Tuzin, Ulqinin, Plavën, Gucinë dhe Tivarin, të gjitha këto zona ku janë shqiptarët”, ka deklaruar Dukaj.
“Ne jemi fokusuar te faktorët që për fat keq me dekada i kanë shqiptarët anash si rezultat e dimë shumë mirë e tregojnë qartë faktet se sa shqiptarë ka pasë në Mal të Zi dhe sa ka sot. Numri i shqiptarëve ka rënë edhe më shumë në dy dekadat e fundit. Jo vetëm në administratë publike s’kemi qenë të përfaqësuar, nuk ka pasë zhvillim ekonomik, shumë pak në zonat ku janë shqiptarët”.
Ai, theksoi se për dy vite gjatë udhëheqjes së Dritan Abazoviqit nuk ka pasë investime sa për një dekadë më herët, në pjesët ku janë shqiptarët.
“Në vitin 2021, për vitin 2022 kemi bërë investime mbi 20 milionë euro përmes drejtorisë përmes investimeve kapitale, kaq investime nuk janë bërë për një dekadë prapa në komunat ku jetojnë shqiptarët”, vazhdoi Dukaj.
“Në Ulqin në dhjetët vitet e fundit më shumë janë rrënuar hotelet dhe e dimë se si është infrastruktura dhe sa hotele pesë yje janë ndërtuar në Ulqin 20 vitet e fundit, asnjë. E dimë çfarë kapaciteti ka Ulqini”.
Ai potencoi se meqenëse janë përfshirë në këtë qeveri, po vazhdojnë investimet që janë paraparë edhe në kohën e Abazoviqit.
“Ne po vazhdojmë të bëjmë ligje dhe projekte konkrete që nuk janë bërë 10 vitet e fundit për shqiptarët por edhe për malazezët në këtë çështje dhe drejtoria e zhvillimit ekonomik, për herë të parë drejtohet nga një shqiptar”, tha Dukaj.