Pas dorëzimit në kuvendet komunale të listave të nënshkrimit të peticioneve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vendosë se a do të shkohet në zgjedhje në ato komuna. Ndërsa, njohësit e procesit zgjedhor thonë se procedurat mund të shkojnë deri në katër muaj për të pasur kryetarët e rinj pas zgjedhjeve të parakohshme atje.
Sipas procedurave dhe afateve ligjore, procesi për largimin e katër kryetarëve të komunave në veri, përmes referendumit do të marrë rreth dy muaj kohë. Ndërsa, rezultati i votimit më pas i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se i gjithë procesi mund të shkojë deri në katër muaj. Ai tha për Radio Kosovën se kryesuesit e kuvendeve komunale në katër komunat në veri, brenda tre ditësh e dërgojnë kërkesën për largimin e kryetarëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që më pas KQZ të verifikojë listat e nënshkrimeve.
Nëse KQZ konstaton se është përmbushur pragu prej 20 për qind të listës së votuesve në komunat përkatëse, atëherë i hap rrugë procesit të votimit, që njihet si mini-referendum për largimin e kryetarëve.
“KQZ pas njoftimit të kryesuesit të kuvendit komunal, kryetarit të komunës përkatëse dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, atëherë shpallen procedurat e votimit, të cilat mbahen brenda një afati prej 30 deri në 45 ditë, që si proces i votimit është më i ndryshëm se sa zgjedhjet e zakonshme, meqenëse kërkohet një prag më i madh i daljes në zgjedhje. Pra, nevojitet që të dalin minimumi 50 për qind plus 1 e votuesve. Për largimin e kryetarëve, duhet të votojnë përmbi gjysma e votuesve me të drejtë vote në komunën përkatëse. Nëse votohet në këtë nivel, atëherë konsiderohet se kryetari i komunës është shkarkuar nga detyra dhe presidentja e vendit i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave. Nëse nuk arrihet ky prag, konsiderohet se iniciativa ka dështuar dhe e njëjta nuk mund të parashtrohet në bazë të udhëzimit administrativ, të paktën për një periudhë prej 12 muajsh nga dita kur konstatohet se ka dështuar referendumi në fjalë”, ka thënë Cakolli.