Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të enjten ka paditur Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke kërkuar që të anulohet vendimi për këmbimin e të paktën 10 hektarëve në Badoc, në pjesën ku nuk lejohen ndërtimet, me 7 hektarë në Prishtinën e Re, zonën me më së shumti potencial financiar në kryeqytet e ku lejohen ndërtimet. Ky këmbim ishte bërë me propozimin e ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, më 2021 e me validimin e kryetarit aktual Përparim Rama më 2022.
IKD-ja ka kërkuar nga Gjykata shtyrje të ekzekutimit të vendimit të Kuvednit Komunal të Prishtinës deri në marrjen e vendimit përfundimtar.
Në padinë e IKD-së thuhet se në vendimin që e ka marrë Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk janë aplikuar fare dispozitat ligjore, nuk është vepruar sipas rregullave të procedurës, nuk është vërtetuar drejt gjendja faktike apo nëse nga faktet e vërtetuara është nxjerrë konkluzioni jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike.
“Me aktin përfundimtar administrativ, i nxjerrë sipas vlerësimit të lirë, organi i ka tejkaluar kufijtë e autorizimit ligjor ose akti i tillë nuk është nxjerrë në pajtim me qëllimin e këtij ligji”, thuhet në padinë e IKD-së