Lord Stuart Peach, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor tha në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve Hina, se e dënon sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Peach shprehu mbështetjen absolute për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe dënoi organizimin e një konflikti të armatosur në Banjskë në veri të Kosovës, shkruan Al Jazeera duke transmetuar intervistën e të dërguarit briatnik.
Peach e quajti “incident të rëndë” sulmin në Banjskë dhe theksoi se institucionet e Kosovës po bashkëpunojnë plotësisht në hetim, gjë që ai tha se e theksoi edhe në Beograd.
Ai shtoi se sasia e armëve të gjetura mund të jetë destabilizuese për Kosovën dhe për këtë arsye, vlerësoi veprimet profesionale dhe të koordinuara të Policisë së Kosovës.
Nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peach tha se do të përfitojnë të gjithë qytetarët e të dyja vendeve, por edhe rajoni. E ardhmja e Kosovës është ajo e një republike multietnike.
Peach përcolli thirrjen e Mbretërisë së Bashkuar që Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë dhe t’i hetojë parregullsitë në zgjedhjet e mbajtura në dhjetor.
Entiteti i Republika Srpskas në Bosnjë e Hercegovinë nuk mund të jetë një shtet i pavarur, tha Stuart Peach. Londra “dënon kërcënimet” për shkëputjen e Republika Srpskas dhe vazhdon ta mbështesë Marrëveshjen e Dejtonit, tha ish-komandanti i forcave ajrore britanike dhe ish-kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s.
Gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, Peach vizitoi Osijekun, ku ishte në Qendrën për Paqe dhe Jo-Dhunë, dhe Vukovarin, ku vizitoi Kullën e Ujit dhe Ovçarën. Ai u takua me përfaqësues të shoqatave joqeveritare për të mësuar nga dora e parë për iniciativat e pajtimit të pasluftës atje.
“Unë jam absolutisht i përkushtuar për pajtimin kudo në botë, kudo që mund të sjellim ndryshim”, tha Peach. Ai theksoi se sot, për shkak të rrethanave të ndryshuara gjeopolitike dhe konflikteve të reja, është “më e rëndësishme se më parë” të mos shtohen rreziqe të reja në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe të mos lejohen ata që duan të destabilizojnë zonën, si p.sh. si Rusia, të ketë sukses.