Në mbledhjen e mbajtur sot të Komisionit për Integrime Evropiane, Zëvendëskryeministri Besnik Bisilimi është deklaruar për sa i përket heqjes së masave nga Bashkimi Evropian.
Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane tha se nuk ka ende vendim për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës që janë vendosur majin e vitit të kaluar ndaj Kosovës. Kjo sipas Bislimin nuk po ndodhë pavarësisht se Kosova ka zbatuar pikat e planit katërpikësh.
Bisilmi foli edhe për rrethanat që shkaktuan vendosjen e këtyre masave ndaj Kosovës.
“Masat janë vendosur në fund të majit, nga Komisioni Evropian dhe janë rezultat i eskalimit që ka ndodhur në veri të Kosovës me datën 29 maj të vitit të kaluar kur protestuesit serbë kanë sulmuar KFOR-in, gazetarët dhe qytetarët tanë. Ka ekzistuar një bindje që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për de-eskalimin e situatës. Në letrën që na është dërguar për vendosjen e këtyre masave thuhet që masat janë të përkohshme, janë të kthyeshme dhe të bazuara në një proces kredibil të de-eskalimit të situatës në veri”, ka thënë ai.
Tutje ai foli edhe për takimin me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e ku u vendos për planin katërpikësh, zbatimi i të cilit çon në largimin e këtyre masave. Bislimi tha se Kosova i ka përmbushur obligimet e saj siç janë paraparë me këtë dokument, shkruan gazetaexpress.