De Laurentiis, kreu i kampionëve në fuqi të Italisë tha se prej verës së vjetshme kur erdhi edhe rinovimi me Osimhen, e dinin që sulmuesi do largohet në 2024.
Lega Serie A zhvilloi punimet e radhës në Milano. Pas mbledhjes, për mediet foli presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis. Në fjalën e tij, kreu i kampionëve në fuqi të Italisë tha se prej verës së vjetshme kur erdhi edhe rinovimi me Osimhen, e dinin që sulmuesi do largohet në 2024 dhe për të ka oferta nga Real Madrid, PSG dhe klube të Premier League. Mendim edhe për Mourinhon dhe largimin e Zielinskit.
“Mourinho nuk ka asnjë lidhje me Napolin. Ai është një trajner i madh, shumë i mirë, i vrullshëm, por besoj se fati i tij do të jetë jashtë Italisë. Sigurisht jo në Napoli”, tha kreu i Napolit.
Gjithashtu De Laurentiis shpalosi planet për të ardhmen e Zielinskit dhe lidhjet e vazhdueshme me Interin.
“Disa histori dashurie përfundojnë vetvetiu. Nëse ai dëshiron të qëndrojë, ne jemi këtu për ta përqafuar, por nëse ai dëshiron të largohet sepse agjenti ka dëshirë të keqe të parave, le ta bëjë. Me sa duket ai do të ketë imagjinuar të marrë një biskotë të bukur për ta zhytur në një kafe dhe do të ketë bindur djalin, të afërmit dhe familjen e tij. Unë do t’ju them vetëm se Zielinski merr një rrogë shumë më të lartë te ne dhe lexova se agjenti do ia ofronte Interit. I thashë Marottës që nuk sillet mirë, ia thashë me buzëqeshje edhe pse më thotë ‘nuk është e vërtetë”, vijoi ai.
Fjalët e lamtumirës për Victor Osimhen ishin prezente, duke konfirmuar largimin.
“Ne e dinim tashmë verën e kaluar për largimin e tij në fundin e sezonit. Negocimi nuk do të kishte zgjatur për rinovimin nëse nuk do ishim në dijeni. Ne e dinim që ai do të shkonte te Real Madrid, PSG ose në Premier League”, tha De Laurentiis.