Deficiti tregtar është rritur 6.3%: Qeveria duhet të shqyrtojë politikat fiskale

by engel

Ndryshimi i politikave fiskale, themelimi i fabrikave, ulja e kërkesave për import të mallrave, politika më të favorshme për investime të huaja dhe gjetja e masave stimuluese për prodhim, po konsiderohen të jenë ndër hapat kryesor që duhet të ndërmirren në mënyrë që të rritet vlera e eksportit dhe të bie vlera e importit të mallrave në Kosovë.

Në raportin e fundit për tregti të jashtme të mallrave në Kosovë, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2023, kishte vlerën 65.4 milionë euro, ndërsa importi 543,1 milionë euro, që është një rënie prej 9.3% për eksport, si dhe një rritje prej 4.1 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Njohës të ekonomisë thonë se rënia e eksportit të mallrave mund të jetë si rezultat i rënies së kërkesës në vendet e eksportit apo e nivelit të konkurueshmërisë së prodhimeve vendore, karshi konkurrencës ndërkombëtare.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna e vlerëson shqetësues faktin e trendit të rënies së eksportit e ngritjen e importit të mallrave në Kosovë, derisa shton se kjo situatë duhet të merret me urgjencë dhe të shihet se ku ka ngecje.

Rafuna në një prononcim për KosovaPress, tha se janë disa masa që duhet ndërmarrë në mënyrë që situatë të ndryshojë, për çka thotë se kjo çështje është “kompentencë ekzluzive” e Qeverisë së Kosovës.

Ndër të tjera, Rafuna potencoi se Kosova importon më së shumti produktet për konsum të gjerë, duke përfshirë ushqimet dhe tekstilin. Derisa shtoi se te eksporti dominon industria e drurit dhe ajo e përpunimit të ushqimit.

Rafuna thotë se te eksporti edhe plastika është kërkesë në rritje.

Ndërkaq, drejtori programor në Institutin Riinvest, Visar Vokrri në një prononcim për KosovaPress, tha se rënia e eksportit mund të jetë si rezultat i rënies së kërkesës në vendet e eksportit apo e nivelit të konkurueshmërisë së prodhimeve vendore, karshi konkurrencës ndërkombëtare.

Vokrri potencoi se deficiti tregtar vetëm sa po thellohet, për çka tha se këtu mund të ndikojë edhe ngritja e vlerës së lëndës së parë apo kostoja e fuqisë punëtore.

Vokrri potencoi se ende ka hapësirë për t’u përmirësuar klima e të bërit biznes në Kosovë. Ai shtoi se ndër hapat që duhet ndërmarrë për të ndryshuar gjendjen janë, aktivizimi i një pjese të fuqisë punëtore, ndryshimi i politikave fiskale dhe promovimi më i madh i bizneseve që eksportojnë.

Në një raport të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se të dhënat tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.3% në muajin dhjetor 2023, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 477.7 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 449,5 milionë euro në vitin 2022. Derisa eksporti mbulon importin me 12 për qind.

Lidhur me këto të dhëna, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konference për media, duke kritikuar qeverinë aktuale për menaxhim të pa aftë.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi ka thënë se asnjëherë nuk ka ndodhur brenda një periudhe tre vjeçare të ketë 56.5 për qind rritje të deficitit tregtar. Ai shtoi se nga viti 2022 në vitin 2023, eksporti në Kosovë ka rënë për 101 milionë euro më pak./KosovaPress

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy