Komuna e Podujevës për vitin akademik 2023/2024 ka punësuar rreth 80 mësimdhënës të cilët, për shkak të keq planifikimeve të komunës së Podujevës, nga tetori janë pa paga.
Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Avni Fetahu, ka thënë se këta janë punësuar si zëvendësim. “52 mësimdhënëse kanë shkuar në pushim të lehonisë, 2 mësimdhënës kanë vdekur, 12 mësimdhënës kanë arritur moshën e pensionimit dhe 15 mësimdhënës i kemi me sëmundje kronike”- tha Fetahu.
Përderisa Fetahu ka shtuar se këto zëvendësime janë bërë në bazë të ligjit mbi ndarjet buxhetore, konkretisht neni 12. “Asnjë organizatë buxhetore nuk mund të tejkalojë numrin e të punësuarve në nivel të nën programit, në asnjë kohë gjatë vitit fiskal 2024 siç specifikohet në tabelat 3.1, 3.1.A, dhe 4.1 të bashkëngjitura në këtë ligj, përveç lehonive në sistemin e arsimit para universitar.
Çdo tejkalim i numrit të lejuar të punësuarve, përveç lehonive në arsimin para universitar dhe ndarjeve buxhetore të parapara për çdo nën program konsiderohet shkelje ligjore dhe do të merren masa ligjore ndaj personave përgjegjës sipas strukturës së organizatës buxhetore bazuar në legjislacionin në fuqi”- thuhet në nenin 12 pika 1 e ligjit mbi ndarjet buxhetore.
Në përgjigjen e Ministrisë së Financave Transfereve dhe Punës thuhet se është përgjegjësi e organizatave buxhetore që të sigurohen se numri i punëtorëve si dhe çështja e kontratave dhe punësimeve është në harmoni me legjislacionin në fuqi.
“MFTP zbaton Ligjin për Ndarjet Buxhetore dhe përgjigjet ndaj kërkesave të organizatave buxhetore përbrenda kufijve të përcaktuar përmes këtij ligji. Secila organizatë buxhetore ka planifikuar numrin e të punësuarve dhe e ka buxhetuar atë në Ligjin Nr. 08/L-260 mbi Ndarjet Buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024 dhe çdo tejkalim i numrit buxhetor është në kundërshtim me Ligjin Vjetor të Buxhetit”- thuhet në përgjigjen e MFTP-së.
Këtë problem e ka paraqitur edhe PDK-ja në seancën e 28 dhjetorit në Kuvendin Komunal të Podujevës. “Ne si parti kemi pyetur se pse këta mësimdhënës nuk janë në listën e pagave dhe si janë punësuar, por që nuk kemi marr ndonjë përgjigje as nga kryetari as nga drejtori i Arsimit. Madje as numrin e saktë të këtyre mësimdhënësve nuk na e kanë ofruar”- ka thënë Bashkim Syla nga PDK./Kallxo