Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk u tërhoq nga qëndrimi lidhur me dinarin serb dhe pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për të mos i trazuar më shumë ujërat tani me komunitetin serb atje, i përsëriti ambasadorëve të vendeve të QUINT-it dhe shefit të Zyrës së Bashkimit Europian në Prishtinë valuta e vetme e lejuar për përdorim në transaksionet me para kesh është euroja.
Javën e kaluar, Banka Qendrore e Kosovës, BQK, nxori një rregullore e cila dikton që nisur nga 1 shkurti, të gjitha veprimet me para kesh kudo në Kosovë, të bëhen me monedhën e përbashkët europiane. Kurti madje i kërkoi vendeve të QUINT-it ta respektojnë vendimin e Bankës Qendrore.
“Kryeministri Kurti në takim theksoi rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Takimi i tij me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, erdhi pak ditë pasi SHBA-ja i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës ta rishqyrtojë vendimin e BQK-së për dinarin, ndërsa Bashkimi Europian i kërkoi sqarime për të.
Banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e kanë shfrytëzuar për më shumë se dy dekada monedhën serbe për gjithçka – nga rrogat dhe pensionet deri te pagesat në dyqane dhe restorante.
Dinarët në Kosovë kanë mbërritur për vite me radhë përmes Bankës Popullore të Serbisë, e cila ka një kasafortë në komunën veriore të Leposavicit. Sipas Listës Serbe, me këtë lëvizje, politikëbërësit kosovarë po përpiqen t’i dëbojnë serbët “pa përdorur armë”.