Çashka mbetet e bllokuar, vazhdon protesta kundër mësimit shqip
Vazhdon protesta kundër mësimit shqip në Çashkë. Edhe gjatë ditës së sotme është bllokuar hyrja dhe dalja e komunës nga ana e protestuesve të cilët nuk lejojnë as nxënësit shqiptar e as ata maqedonas por as edhe të punësuarit të vijojnë mësimin në shkollën fillore “Todor Janev” të kësaj komune.
Mësuesi i paraleles shqipe në Çashkë, thotë se shpesh pyetet nga nxënësit shqiptar të klasës se kur do të filloj mësimi por as ai nuk ka ndonjë përgjigj për ta.
“As sot nuk mundem të shkojmë ne punë për shkak të bllokimit të hyrjes dhe daljes së komunës së Çashkës. Çfarë u thua nxënësve të cilët pyesin kur do të filloj mësimi? Nxënësit pyesin por nuk kemi përgjigje dhe u themi do behet, do kaloj edhe kjo por me këtë çfarë ndodhë është e tepërt e bllokojnë hyrjen dhe daljen dhe nuk mund të shkojmë në shkollë”, tha Besmir Xhaferi, mësues në paralelen shqipe në Çashkë.
Bllokimin e procesit arsimor të 150 nxënësve, shqiptar dhe maqedonas por edhe të punësuarve, e konfirmoi edhe drejtoresha e shkollës “Todor Janev” e cila tha se edhe gjatë ditës së sotme shkaku i protestave dhe bllokimit të rrugës në Çashkë nuk janë lejuar që të vazhdojnë procesin arsimor.
Kushtetuta garanton të drejtën e mësimit në gjuhën amtare në arsimin fillor dhe të mesëm, por këtë të drejtë institucionet nuk po mund ta zbatojnë tani katër muaj.
Ditë më parë prindërit apeluan që institucionet të gjejnë zgjidhje për situatën e tensionuar në Çashkë pasi siç thanë çdo ditë e humbur në procesin arsimor shkon në dëm të nxënësve./Alsat.mk
